E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë-Serbi, Kuper: Raundi tjetër në fund të qershorit

BRUKSEL-  I dërguari i BE-së në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Kuper, ka vendosur që raundi i ardhshëm i bisedimeve të mbahet në fund te qershorit.

Ky raund qe paraparë të mbahet në mesin e këtij muaji, por shtyrje është thënë se do të ketë me qëllim që palëve t’u jepet kohë për marrëveshje të mundshme.

Zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së, Maja Kocijançiq ka thënë se Kuper ka vlerësuar, që palëve u duhet dhënë më shumë kohë për t’u përgatitur para nënshkrimit të marrëveshjeve të para.

Zyrtarët e BE-së në Bruksel kanë thënë se Kuper ka vendosur, që të ndërrojë datën e raundit të ri dhe se nuk mund të komentojnë mbi deklaratën e shefes së ekipit kosovar të negociatave, Edita Tahiri, se pala serbe ka kërkuar shtyrjen.

"Koha ditore" shkruan sot se palët pritet që të kenë pajtim të paktën në dy çështje: atë të regjistrave civilë dhe të lëvizjes së lirë.

Kosova ka pranuar të marrë kopjet e regjistrave të saj civilë, që Serbia i kishte marrë gjatë largimit të trupave të saj nga Kosova më 1999, ndërkaq që Serbia, sipas burimeve diplomatike, do të pajtohet që kosovarët të mund të hyjnë në Serbi me dokumentet e shtetit të tyre. Shteti serb do të pranojë hyrjen me pasaportën kosovare në Serbi, por në të nuk do të vendoset vula e fqinjit verior, sepse, sipas ekipit serb të bisedimeve, një gjë e tillë do të transmetohej si njohje e Republikës së Kosovës.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›