E Shtunë, 31 Tetor 2026

PTK-ja po zhvlerësohet

Nga Express më 10 qershor 2011 në ora 16:50

Ngritja e disa aktakuzave nga Prokuroria Speciale e Kosovës, konfirmon se procesi i dëmtimit të vlerës së kompanisë më fitimprurëse, PTK-së, është sistematik dhe i përkrahur nga qeveria për arsye klienteliste ka thënë Avni Zogiani nga ”Çohu”.

Shqetësimet për aferat e korrupsionit në kompaninë publike PTK, drejtori i organizatës Çohu, Avni Zogiani i ka shpalosur të premten gjatë një konference për media, pikërisht para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, me ç’rast edhe ka kërkuar të ndalet procesi i privatizimit të PTK-së.

“Të ndërpritet procesi i privatizimit, sepse është përfshirë nga konflikti interesit, sepse po bartet nga një qeveri e kapur për interesa private, sepse Kuvendi është shkelur në tërë këtë proces. Ju e dini se si ka kaluar strategjia e privatizimit, në vazhdimësi është refuzuar nga Kuvendi edhe pastaj është përfshi në Ligjin për buxhetin, një veprim jo kushtetues”, ka thënë ai.

Sipas tij, aktakuzat e ngritura tani lidhur me përfshirjen në korrupsion dhe krim të organizuar të zyrtarëve të PTK-së do të ndikojnë në zhvlerësimin e kompanisë edhe më shumë se që është zhvlerësuar deri më tani nga ekzekutivi. Edhe pse aktakuza për dallavere është ngritur vetëm për drejtuesit e PTK-së dhe pronarët e “Devolli Group”, për Zogianin më fajtorë për gjithë këtë janë kryeministri Hashim Thaçi dhe ish ministri Ahmet Shala, të cilët e kishin mbështetur kontratën që tani doli të jetë e korruptuar.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›