E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, arrestohen dhe dhunohen deputetët e Vetëvendosjes

(I përditësuar) - Policia e Kosovës njofton se në Podujevë janë arrestuar 112 persona, kurse në vendkalimin kufitar, Dheu i Bardhë, deri në këto momente janë arrestuar 31 persona. Lajmin e bëri të ditur për “radion Evropa e Lirë”, Brahim Sadriu, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Nga ana e saj Vetëvendosjes bën të diture se deri rreth orës 19:00 nga policia janë arrestuar 69 persona. Lëvizja gjithashtu saktëson se disa prej tyre janë plagosur dhe dhunuar nga policët. Mes tyre është edhe deputeti Glauk Konjufca, i cili mban edhe posti ne nënkryetari të Kuvendit të Kosovës. Konjufca, bashkë me deputetë tjerë, ka qenë sot gjatë gjithë ditës në afërsi të pikës kufitare të Dheut të Bardh.

Policia ka arrestuar pesë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje. Parlamentarët Glauk Konjufca, Liburn Aliu, Visar Ymeri janë arrestuar në pikën kufitare të Dheut të Bardhë ndërsa Afrim Hoti dhe Albana Gashi janë arrestuar në Merdare.

Gjithashtu janë arrestuarArbër Zaimi, Shpend Ahmeti, Frashër Krasniqi dhe Naim Bunjaku. Lëvizja Vetëvendosje bën të ditur se nga ndërhyrja e fundit e policisë janë arrestuar nënkryetari Shpend Ahmeti, Arbën Zaimi, Frashër Krasniqi dhe Naim Bunjaku.

Në një kohë kur policia pas çdo ndërhyrje kryen arrestime në radhën e aktivistëve të Vetëvendosjes, qeveria e Kosovës ka dalë në një komunikatë për shtyp ku shpreh keqardhje për ngjarjen e sotme.

Qeveria e Republikës së Kosovës iu bën thirrje krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të shmangën nga përdorimi i dhunës dhe përpjekjet për të penguar lëvizjen e lirë të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, thuhet në komunikatë.

*   *   *

Përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për implementimin e reciprocitetit me Serbinë do të vazhdojë. Në një kohë kur nga Kosova raportohet se disa maune serbe kanë mundur të kalojnë kufirin në Merdare, nënkryetari i VV-së Shpend Ahmeti e përgënjeshtron një gjë të tillë.

Ai ka theksuar se aktivistët nuk do të tërhiqen nga qëllimi për mos lejimin e hyrjes së mallrave serbe. Turmat e protestuesve janë duke u shtuar. Janë duke ardhur edhe dy autobusë nga Tirana dhe tre autobusë tjerë nga Prishtina. Ne nuk jemi duke e penguar lëvizjen e lire, jemi duke i penguar vetëm maunat me mallra serbe. Deri më tani nuk ka mundur me kaluar asnjë maunë me mallra serbe, tha Ahmeti.

Ndërkohë bëhet e ditur se mbi 40 protestues janë arrestuar ndërsa nga radhët e policisë kanë mbetur të dëmtuar 13 policë.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës për zhbllokimin e rrugës ka përdorur gaz lotsjellës ndërsa aktivistët e Vetëvendosjes janë kundërpërgjigjur duke qëlluar me gurë dhe sende të tjera rrethanore.

Duke folur para mbështetësve në Podujevë, Kurti i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të respektojë masat e reciprocitetit me Serbinë.

MORINE – Më në fund është qetësuar situata në pikë kufitare të Morinës. EULEX dhe policia kufitare e Kosovës ka lënë të lirë tre mbështetësit e Vetëvendosjes nga Shqipëria. Por nga ana tjetër policia e EULEX nuk ka lejuar që autobusi i cili transportonte mbështetësit të hyjnë në Kosovë. Në këtë mënyrë mbështetësit kanë kaluar kufirin në këmbë dhe tashmë transportin e tyre drejtë Dheut të Bardho do ta kryejnë autobusë të vënë në dispozicion nga Vetëvendosje!

Kalimi i tyre ka ardhur pas orëve të tëra pritje. Asnjë arsye nuk është dhënë për mbajtjen aq gjatë në doganë të autobusëve, ndërkohë që bëhet e ditur se në Morinë nuk ka patur as radhë dhe as probleme në sistemet kompjuterike të kontrollit.

Zbllokimi i situatës ka ardhur pasi një përfaqësues i aktivistëve nga Tirana është futur në një takim me drejtuesit e pikës doganore. Fillimisht atyre u ishte komunikuar se nuk mund të hynin në Kosovë por më pas kanë ndryshuar qëndrim duke i lejuar që të kalojnë pa automjetet që kishin në dizpozicion.

Foto nga Ardit Rada

Protesta e Vetëvendosje e parashikuar për tu mbajtur sot ka gjetur mbështetjen edhe të qindra shqiptarëve. Thirrjes së kreut të Vetëvendosjes për të mbështetur protestën i janë përgjigjur mbi 100 shqiptarë të cilët në dy autobusë janë nisur drejt Kosovës në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Policia e Kosovës është vënë në gatishmëri me qëllim shtimin ë masave të sigurisë për qarkullim të lirë të njerëzve dhe mallrave përgjatë rrugëve nga vendkalimi kufitar Merdare për në Prishtinë e tutje, si dhe nga vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë për në Gjilan e tutje.

Sipas deklaratës së policisë së Kosovës sqaroi se do ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi  dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve si dhe mallrave përmes  vendkalimit kufitar Merdare dhe Dheu i Bardhë dhe në terë territorin e Republikës së Kosovës.

Në vijim bëhet e ditur se nga ana e forcave të rendit nuk do të lejohet asnjë bllokim i rrugëve si dhe asnjë afrim i protestuesve afër vendkalimeve kufitare dhe as bllokimi i tyre sipas tendencës së paralajmëruar nga përfaqësuesit e Vetëvendosjes.

*********

Foto nga Ardit Rada

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›