Kosovë, dështon për herë të 19-të zgjedhja e kryetares së Kuvendit

Mbi tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar. Edhe seanca e 21 majit dështoi në përpjekjen për të zgjedhur kryetaren e Kuvendit, me kandidaturën e vetme të propozuar që mbetet Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje.
Pavarësisht pranisë së 109 deputetëve në sallë, vetëm 54 votuan pro krijimit të një komisioni për votim të fshehtë, një votë ishte kundër, ndërsa pjesa tjetër nuk mori pjesë në votim. PDK, LDK, AAK dhe NISMA nuk propozuan asnjë anëtar për këtë komision, duke bllokuar sërish procesin. Seanca e radhës është caktuar për 23 maj, në orën 11:00.
Deputetja Albulena Haxhiu u shpreh se Vetëvendosje është e qartë në qëllimin e saj për ta konstituuar Kuvendin dhe për të kaluar më tej në formimin e qeverisë së re. Ajo kritikoi opozitën për mungesë qëndrimi të qartë dhe bllokim të vazhdueshëm.
“Lëvizja Vetëvendosje do që të vazhdojmë me hapa tjerë për votimin e qeverisë. Siç e dini, kryeministri Kurti ka pesëmbëdhjetë ditë pastaj në dispozicion që të votohet qeveria e Kosovës. Nuk është e qartë çfarë do opozita. Në vazhdimësi kanë qëndrime të ndryshme. Ata kanë preferenca, kanë emra të përveçëm, ne bazohemi në të drejtat kushtetuese”, tha Haxhiu.
Në anën tjetër, deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, kundërshton vazhdimin e procesit me kandidaturën aktuale dhe fajëson Vetëvendosjen për bllokimin institucional.
“Ne nuk mund të suspendojmë demokracinë për shkak të tekave të Kurtit dhe ambicieve të zonjës Haxhiu. Nuk ka shumicë parlamentare. I bëjmë ftesë të reflektojë, të ndryshojë kandidatin dhe të ecim tutje”, tha ajo.
Ngërçi politik në Kosovë vijon të thellohet, ndërsa vendi mbetet pa Kuvend të konstituuar dhe pa qeveri të re, në pritje të një kompromisi mes forcave politike.
/rtsh.al/