E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosove ekspertet Vit i keq ekonomik

Ekspertët e ekonomisë në Kosovë vlerësojnë se 2011-a do të jetë një vit i vështirë ekonomik, që mund të nxisë edhe pakënaqësitë sociale. Përkeqësimi i gjendjes ekonomike është parë edhe si rezultat i kostos së lartë të ndërtimit të autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe rritjes së pagave për rreth 70 mijë nëpunësit civil, të cilat do ta thellojnë deficitin buxhetor. Për këtë janë shprehur të shqetësuar edhe mekanizmat ndërkombëtarë financiar.

“Qeveria e Kosovës e ka futur vendin edhe në një krizë ekonomike përveç krizës politike që kemi, për shkak se nuk dihet ende si do ta mbulojë deficitin buxhetor që ka të bëjë me ndërtimin e autostradës dhe rritjen e pagave tash së fundi”, tha Agron Demi, Instituti për Studime të Avancuara -GAP.

Vendimi i qeverisë në dorëheqje i marrë para zgjedhjeve për rritjen e pagave në sektorin publik nga 30 deri në 50 për qind ka bërë që menjëherë të rritet TVSH e  që sipas ekspertëve të ekonomisë është një grusht i rëndë ndaj shportës së konsumatorit kosovar.

“17 për qind e popullatës së Kosovës jetojnë me vetëm  93 cent brenda ditës, ndërsa afër 48-50 për qind jetojnë me 1 euro 45 cent dhe kur krejt kësaj i shtohet një rritje prej tre për qind që nënkupton që nuk do të ketë rritja automatike vetëm prej tre për qind por një efekt zinxhiror që do të reflektohet me 8.5, 9 ose 12 për qind rritje të çmimeve dhe e tëra kjo do të jetë një grusht i rëndë për familjen kosovare”, tha Safet Gërxhaliu, Kryetar i Odes Ekonomike të Kosovës.

Kosova në vitin e fundit ka pasur një rritje ekonomike prej 4 për qind që ka ardhur si rezultat i investimeve publike, ndërkohë që ka një përgjysmim të investimeve të huaja, nga 440 milionë në vitin 2007 në 270 milionë.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›