E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, fillon takimi i dialogut për Stabilizim-Asocim

Ka filluar në Prishtinë takimi i parë i Dialogut të Stabilizim-Asocimit (DSA), për këtë vit, ndërsanë qendër të diskutimeve do të jenë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përforcimi i kapaciteteve për ri-integrim, përmirësimi i regjistrave civil, siguria e dokumenteve dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve. Sipas një njoftimi nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë takimi do të zgjasë deri më 9 shkurt.

Samuel Zhbogar, përfaqësues special i BE-së dhe udhëheqës i zyrës së BE-së në Kosovë, tha se “sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave elementare të njeriut, janë të rëndësishme, jo vetëm për Dialogun e Stabilizim - Asocimit, por edhe për dialogun e liberalizimit të vizave, i cili ka filluar kohët e fundit”.

Sipas tij, “si dhe kur ky proces do të çoj në lëvizjen e lirë pa viza, do të varet nga puna e autoriteteve dhe e shoqërisë kosovare si tërësi”.

Ministrja e Integrimeve Evropiane e Kosovës, Vlora Çitaku, është shprehur se aspektet e integrimit evropian, që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, janë treguar si më të vështirat për implementim në këtë proces, jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë rajonin.

Takimi i dialogut për Stabilizim- Asocim, konkludimet e së cilit do të përfshihen në Raportin e ardhshëm të progresit, po organizohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe nga Ministria e Integrimeve Evropiane e Kosovës.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›