Kosovë, forca të shumta të KFOR-it në Mitrovicë
Në afërsi të urës lindore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, përkatësisht në hyrje të “Lagjes së boshnjakëve”, gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme janë vërejtur forca të shtuara të KFOR-it.
Sipas mediave kosovare në këtë zonë janë pozicionuar gjashtë xhipa, si dhe një autoblinda të KFOR-it me ushtarë hungarezë. Ndërsa, përtej urës ndodhet edhe një patrullë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur se ka prezencë të shtuar edhe të serbëve lokalë tek barrikada në këtë lagje, që ndodhet afër shkollës së mesme teknike, ndërsa nëpër rrugët e veriut pothuajse nuk vërehen fare pjesëtarë të EULEX-it.
Sipas këtyre burimeve, ekziston mundësia që gjatë natës serbët të përforcojnë barrikadën afër shkollës teknike, ndërkohë që parashikohet edhe vendosja e barrikadave në disa pika të tjera.