E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu: Berisha bëri realitet ëndrrën serbe për të dalë në Durrës

Në pallatin e sportit të qytetit të Durrësit është zhvilluar takimi Aleancës Kuq e Zi në të cilën është sulmuar ashpër politika aktuale kombëtare dhe ekonomike e qeverisë duke e cilësuar atë si shitëse të interesave kombëtare tek mafia e huaj serbo-boshnjake. Kreshnik Spahiu tha se numri i kësaj organizate po shkon në 1 milionë shqiptarë sepse kjo lëvizje është lëvizje mbarë kombëtare dhe që nuk ka lidhje me partiçkën bolshevike të Berishës, siç ai e quajti PD-në. Ai akuzoi Berishën si një kryeministër antikombëtar:

Sot në 100-vjetorin e pavarësisë ai po shet shtetësinë për 100 mijë euro. Me këtë parullë – theksoi Spahiu - ai shiti bregdetin e Durrësit tek mafia serbe, tek mafia boshnjake dhe ajo shqiptare -  duke patur me sa duket ndermend rastin e bujshëm “Fazlliç”

Më tej, Spahiu theksoi se me këtë shitje ai ka realizuar ëndrrën shekullore të Serbisë për të dalë në Adriatik, ëndërr të cilën ata se realizuan në kohërat me të vështira të vendit tonë. Në këto dite të vështira ne nuk duhet që të pranojmë që këto klane të bëjnë në Durrës riciklim plehrash dhe ndërtime rafinerish që do ta kthejnë Durrësin në një qytet të pabanuar deklaroi ai.

Ndërkohë, duke iu referuar kuvendit kombëtar të AK, Spahiu deklaroi se në muajin maj do ai do të mbahet në stadium pasi Pallati i Kongreseve i përket Sali Berishës dhe Ramiz Alisë. Nuk ka sallë që mban delegatët e Aleancës Kuqezi në Kuvend. Ai do të mbahet në stadiumin e Tiranës, ndërsa Berisha le të rrijë me partine e tij në Pallatin e Kongreseve, në pallatin e Ramiz Alizë, në pallatin e diktatorëve , theksoi Kreshnik Spahiu sot në Durrës.

Mark Brunga

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›