Kosovë, ndërkombëtarët: Serbët të marrin pjesë në zgjedhje
Në Kosovë, autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare po u bëjnë thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit dhe të zgjedhin udhëheqësit e tyre të ligjshëm në zonat e banuara prej tyre. Menjëherë pas këtyre zgjedhjeve pritet edhe ngritja e tri komunave të reja me shumicë serbe nga pesë që parashikohen të krijohen nëpërmjet procesit të decentralizimit. Por, udhëheqësit e serbëve të Kosovës janë të ndarë në qëndrimet e tyre. Njëri nga udhëheqësit e serbëve nga pjesa veriore e Kosovës, Marko Jakshiq, thotë se serbët do të duhej të dëgjonin thirrjen e presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, sipas të cilit nuk ka kushte për pjesëmarrje në zgjedhjet e Kosovës. "Çdo dalje e serbëve në këto zgjedhje nënkupton njohjen e Kosovës së pavarur, nënkupton mohimin e shtetit. Me daljen në zgjedhje, serbët e Kosovës ndahen nga Beogradi dhe Serbia", ka thënë Jakshiq. Ai u ka bërë thirrje qeverisë së Serbisë dhe kishës ortodokse serbe të fillojnë një fushtë të fuqishme kundër daljes së serbëve në zgjedhjet lokale në Kosovë. Ndërkaq, Momçillo Trajkoviç, nga Nisma e Rezistencës Serbe për pjesën qendrore të Kosovës, thotë se nuk e sheh daljen në zgjedhje si pranim të shtetit të Kosovës. Me pjesëmarrjen në zgjedhje, serbët e Kosovës, sipas Trajkoviç, fitojnë instrumentet në nivelin lokal, që do t'u ndihmojnë atyre në përmirësimin e kushteve të jetës së përditshme. Janë 21 subjekte politike serbe që janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 15 nëntorit dhe sipas Sllobodan Petroviçit, kryetar i Partisë Liberale serbe, kjo është rruga më e mirë për jetësimin e të drejtave të serbëve të Kosovës.