Kosovë, nisin përgatitjet për zbatimin e marrëveshjes. Thaçi: Serbia njohu Kosovën

Largimi i barrikadave
Institucionet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, kanë filluar heshtazi përgatitjet për zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve që u arrit mes Prishtinës dhe Beogradit. Ndonëse përgatitjet kanë filluar duke ristrukturuar stafin policor të EULEX-it, dhe të Policisë së Kosovës, si dhe trajnime shtesë në shtete të ndryshme për ushtarët që mund të vijnë në Kosovë, në rast se kërkohet ndihmë nga ta, fillimisht nevojitet që të ketë protokoll teknik mes dy shteteve nënshkruese të marrëveshjes, shkruan e përditshmja “Zëri”.
Domosdoshmërinë e nënshkrimit të protokollit teknik para se të nisë realizimi i marrëveshjes që është arritur të premten në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e që ka të bëjë me menaxhimin e integruar të pikave të kufirit, e ka konfirmuar në një konferencë për mediat, edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherësh shefja e ekipit negociator të Kosovës me Serbinë, Edita Tahiri. Por, kjo e fundit nuk ka dhënë detaje nëse kanë filluar përgatitjet teknike për nisjen e implementimit të marrëveshjes.
Megjithatë, burime ndërkombëtare të gazetës kanë thënë se BE-ja, si palë ndërmjetësuese në dialog dhe Shtetet e Bashkuara, si mbështetëse të dialogut teknik, janë të interesuara që data e implementimit të marrëveshjes për kufijtë të jetë e përafërt më datën 26 dhjetor, datë për të cilën pala serbe është zotuar se do të nisë implementimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë të qytetarëve.
Kryeministri Hashim Thaçi
Marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve është në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Kështu është shprehur kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në mbledhjen e qeverisë ndërsa shtoi se me këtë marrëveshje përveç se është vendosur rendi dhe ligji në veri të vendit pro Serbia ka njohur edhe kufirin shtetëror të Kosovës.
Ndërkaq, një ditë më parë shefja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se me marrëveshjen e arritur në Bruksel, Serbia ka njohur kufijtë e Kosovë dhe se me këtë marrëveshje Kosova ka përfituar shumë. Tahiri ka pohuar se rezultat i kësaj marrëveshje do të jetë heqja e barrikadave dhe garantimi i lëvizjes së lirë në veri.
Më tej, kryenegociatorja ka theksuar se marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit e arritur në Bruksel do të shoqërohet edhe me nënshkrimin e protokollit teknik mes Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian e SHBA-së, si garantues të marrëveshjes.
Tahiri ka njoftuar se një ndërtesë e përbashkët do të jetë në zonën neutrale, ku do të ketë policë dhe doganierë kosovarë dhe serbë, ndërsa të ardhurat do të shkojnë në buxhetin e Kosovës, ndërsa simbolet shtetërore nuk do të vendosen në ndërtesën e përbashkët, por vetëm në ato ekzistuese.