Brukseli: U humb kohë, tani duhen plotësuar 12 rekomandimet
Në Raportin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, përshëndetet marrëveshja ndërpartiake për reformën zgjedhore dhe nxitet parlamenti shqiptar të miratojë sa më shpejt reformat e kërkuara në 12 rekomandimet e 24 muajve më parë. Humbja e kohës i është atribuar mungesës së vullnetit politik, por theksohet se përparimi mund të shpërblehet me çeljen e menjëhershme të negociatave të anëtarësimit
Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian mirëpret hapat e fundit pozitiv sa i takon bashkëpunimit midis qeverisë dhe opozitës në ngritjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore.
Në një raport të publikuar nga Këshilli në pjesën për Shqipërinë thuhet se mirëpritet edhe ngritja e një grupi pune për reformën në rregullat dhe procedurat e funksionimit të parlamentit.
“Përfshirja në agjendën e punës për miratim të ligjeve që kërkojnë shumicën e cilësuar prej 3/5 e votave, ka bërë të mundur miratimin e tre ligjeve të para. Këto hapa pozitivë duhet ti shërbejnë tejkalimit të ngërçit që ka karakterizuar dhe dominuar skenën politike. Zgjedhjet lokale të 8 Majit u vlerësuan në përgjithësi si konkurruese dhe transparente. Ende, procesi zgjedhor u karakterizua nga probleme të cilat duhet të adresohen mbi bazën ligjore në procesin e reformës zgjedhore. Në tërësi, Shqipëria ka bërë një progres të limituar në përmbushjen e kriterit politik të anëtarësimit dhe 12 prioritetet që konsiderohen kyç për hapjen e negociatave të pranimit”, thuhet në raportin e këshillit të Jashtëm të BE.
Gjithashtu, Këshilli inkurajon qeverinë dhe opozitën të ndërtojnë mbi këto hapa pozitiv, një rikthim të plotë dhe substancial të dialogut konstruktiv politik në mbështetje të funksionimit të duhur dhe pavarësisë së institucioneve demokratike, veçanërisht për parlamentin dhe gjyqësorin.
“Në përputhje me konkluzionet e 20 qershorit 2011, Këshilli inkurajon autoritetet shqiptare të intensifikojnë përpjekjet për agjendën e reformave, veçanërisht në përmbushjen e 12 kritereve. Përpjekje të mëtejshme kërkohen veçanërisht në fushat që përfshijnë gjyqësorin, luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit ashtu sikurse mbrojtjen e minoriteteve dhe të drejtave të pronës”, citohet më tej në të njëjtin raport.
Raporti thekson më tej se është thelbësore qeveri dhe opozita, të bashkëpunojnë edhe me shoqërinë civile në mënyrë që reforma zgjedhore të përfundojë para zgjedhjeve të ardhshme dhe të adresojë të gjitha rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR-i të bëra që nga viti 2007. “Sapo këto kërkesa të përmbushën, Shqipëria do të jetë e gatshme të lëvizë përpara drejt Bashkimit Evropian në përputhje me konkluzionet e dhjetorit 2010”, përfundon raporti.