E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbledhja e Qeverisë, Berisha: Taksa progresive e PS, mekanizëm marksist për të shkatërruar modelin tonë ekonomik

06-12-2011 / Gazeta 55

Kryeministri: Varfëria nuk shkatërrohet duke luftuar të pasurit

UPDATE- Kryeministri Berisha e ka cilësuar buxhetin e vitit 2012 i cili u votua dje në parlament me votat e mazhorancës, si më të madhin në historinë e vendit, ndërsa ka theksuar se “modeli ynë ekonomik ia doli të përballojë krizën financiare botërore”. Duke folur para anëtarëve të kabinetit, në mbledhjen e përjavshme të Qeverisë, Berisha theksoi se modeli ekonomik shqiptar, është modeli që garanton realizimin e objektivave më ambicioze të kësaj mazhorance, të kontrollojë borxhin dhe deficitin si dhe të rrisë rrogat dhe pensionet. “Modeli ekonomik i kësaj qeverie shpëtoi Shqipërinë nga kriza e thellë, përpirëse që përfshiu Europën dhe botën, bëri që leku të tregohet lekë i vërtet. Qeveria e bazon buxhetin e saj ambicioz dhe në të dhënat aktuale të ekonomisë të cilat dëshmojnë se ka një xhiro të përgjithshme në 9-mujorin që shkoi mbi 15.5 përqind. Sipas deklaratës së ndëramarrjeve të prodhimit në tatime rritja është 18.9 përqind. Rritje ka pasur edhe xhiroja në shërbimet publike me 5.5 përqind dhe në ndërtim me 3.05 përqind”- u shpreh Berisha. Sipas tij, buxheti garanton zbatimin e të gjitha projekteve të Shqipërisë dixhitale, objektivi më madhor për 100 vjetorin e Pavarësisë si dhe  mbështet projektet më ambiciozë në infrastrukturë, ujëra, shkolla, spitale dhe në projektet e mëdha kombëtare, të ullirit, arrorëve dhe drurëve të tjerë frutorë. “Ky buxhet bazohet në performancën e ekonomisë dhe këtë model që ka garantuar çdo vit rritjen ekonomike ndër më të lartat në Europë e botë në kulmin e krizës, rritjen e vazhdueshme të eksporteve të vendit që krahasuar me 2006 janë 3 herë më të mëdha”- tha ai.
Kryeministri Berisha ka shprehur keqardhje që opozita votoi kundër buxhetit të vitit 2012 ndërsa ka shtuar se propozimet e saj synonin një krizë mekanizmash të modelit të zhvillimit ekonomik.
Berisha e cilësuar propozimet e PS-së për taksën progresive, një populizëm pa materie dhe që sigurisht nuk sjell uljen e varfërisë ndërsa e ka ftuar atë të jetë konkrete me propozimet që sjellin uljen e varfërisë në vend dhe jo propozime që sjellin truste dhe favorizojnë kompani të caktuara.
Sipas tij, ideja e tyre për të zëvendësuar taksën e sheshtë me taksën progresive është ideja e shkatërrimit të suksesit ekonomik të reformave. “Varfëria nuk luftohet duke shkatërruar të pasurit. Këtë në mënyrën më tragjike e kanë provuar shqiptarët. Vlerësoj diskutimet e opozitës, por ndjej dhimbje kur nuk propozoi për rritje rrogash pensionesh, por u kujdes për tregtarët e miellit e grurit, që të heqin TVSH e bukës, praktikë që është faktuar se nuk jep ulje çmimesh. Vetëm u lë grurin e misrin në ara, mbyll pularitë në vend”- theksoi Berisha.
Berisha nuk ka la pa përmendur edhe Asamblenë Kombëtare të PS-së, ku kreu i saj Edi Rama propozoi ngritjen e Këshillit të të urtëve. “Në byro nuk mbeti njeri nga fëmijët e bllokut pa hyrë. Po me taksat çfarë kishin. Le t’i rikthejnë dhe anëtarët e byrosë politike në këshillin e të urtëve, ajo nuk është punë e jona, i dhimbshëm ishte propozimi i tyre, që kishte parasysh absolutisht truste dhe kompani të caktuara. U bëj thirrje mësuesve, infermierëve, mjekëve, pensionistëve, shqiptarëve me cilin model do të ishin dakord, me atë që u jep 22 mijë lekë dhe u merr 7 mijë, apo me atë që u jep 500 mijë dhe u merr 50 mijë, kur u mbeten 450 mijë? Cilin do preferonin shqiptarët? Modelin e pikatores dhe skamjes, apo modelin e dyfishimit të rrogave”- tha më tej, kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›