E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, nisin sot ndryshimet në reformën zgjedhore

Në Kosovë nis sot reforma e sistemit zgjedhor dhe ndryshimet e kushtetutës së saj. Parlamenti duhet të vendosë për formimin e komisioneve të përkohshme, të cilat do të merren me zbatimin e marrëveshjes së arritur ndërmjet udhëheqësve të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re për këto reforma, marrëveshje kjo e cila mundësoi zhbllokimin e ngërçit politikë në fillim të këtij muaji dhe zgjedhjen e presidentes së vendit më 7 prill. Më herët, Kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi tha se kjo çështje do të jetë pikë e parë e punës në seancën e së premtes. Ndryshimet kushtetuese pritet të përfshijnë pjesën që ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit të Kosovës që në të ardhmen duhet të zgjidhet më vota të drejtpërdrejta, për të shmangur problemet e deritashme. Që nga shatori i vitit të kaluar, dy presidentë janë ndërruar për shkak të rënies ndesh me Kushtetutën. Kryetari i Parlamentit tha se ndryshimet janë vetëm plotësim i Kushtetutës aktuale. Nismën për përshpejtimin e formimit të komisioneve e ka marrë shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas marrëveshjes komisionin për ndryshime kushtetuese e drejton pushteti ndërsa atë për reformën zgjedhore opozita. Ndryshimet kushtetuese dhe reformat në sistemin zgjedhor janë mbështetur edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që ndryshimet kushtetuese të jenë më të thella dhe në radhë të parë të mënjanojnë pjesën që i ndalon Kosovës bashkimin me Shqipërinë. Marrëveshja, e arritur me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Christopher Dell parashikon që zgjedhjet presidenciale të mbahen pas më shumë se një viti, ndërsa ato parlamentare pas më shumë se dy vjet e gjysmë.Por, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se ndryshimet do të jenë më tepër se kaq. Ato ka thënë ai duhet të jenë thelbësore që përshpejtojnë forcimin e shtetit dhe përmbylljen e fazës së pavarësisë së mbikëqyrur të pavarësisë së Kosovës..

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›