Kosovë, palët pakt për president konsensual

Një ditë pasi përpjekjet e faktorëve vendorë në Kosovë kanë dështuar në arritjen e një marrëveshjeje për të zhbllokuar krizën politike, diplomatët perëndimorë janë angazhuar fuqishëm që të parandalojnë zgjedhjet e parakohshme, drejt të cilave po shkonte vendi.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Dell, të martën ka mbledhur Hashim Thaçin, Isa Mustafën dhe Behgjet Pacollin në Dragodan, me të cilët ka arritur të sigurojë një marrëveshje në parim rreth rrugëdaljes nga qorrsokaku, në të cilën vendi është futur pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli jokushtetuese zgjedhjen e Presidentit dhe çoi në largimin e Pacollit nga Zyra më e lartë në vend.
Sipas gazetës kosovare “Express”, tre liderët pas negociatave disaorëshe në Ambasadën Amerikane kanë rënë dakort që për të parin e vendit të gjendet një njeri i pranueshëm ose President konsensual.
Siç mësohet, palëve u ka mbetur të negociojnë rreth mandatit të Presidentit që, sipas Kushtetutës së vendit, është pesëvjeçar.
“Janë përmendur tre emra të mundshëm për postin e Presidentit konsensual. Njëri prej tyre është avokati Iljaz Ramajli”, ka thënë një burim për gazetën.
Burimi i gazetës ka përmendur edhe dy emra të tjerë që janë përmendur gjatë negociatave të krerëve të partive politike, por ka kërkuar që ata të mos publikohen.
Palët, po ashtu, kanë rënë dakort që të fillojnë me ndryshimet kushtetuese, të cilat mund të nisin pas muajit qershor.
Kjo nënkupton ndryshimin e nenit për Presidentin, që mundëson zgjedhjen e të parit të vendit me votim të drejtpërdrejtë.
Po ashtu, në parim palët kanë rënë dakort edhe për ndryshimin e ligjit zgjedhor.
Gjatë negociatave mes krerëve të partive politike ka pasur ide për kontributin e këtyre subjekteve për zgjedhjen e Presidentit konsensual.
“Ideja është që secila parti të sigurojë nga 10 nënshkrime për të proceduar me kandidatin konsensual. Pikë së pari këtë duhet ta bëjnë PDK dhe LDK, e eventualisht edhe AKR”, ka thënë burimi i gazetës.
Një nga pikat ku nuk është rënë dakort është afati i mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
Edhe pse kjo çështje ka mbetur ende të negociohet, ka pasur një marrëveshje që afati për mbajtjen e zgjedhjeve të mos jetë më herët se dy vjet prej fillimit të mandatit të deputetëve aktualë.
“Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herë se dy vjet, për shkak se deputetët mund të kërkojnë sqarime se a është shkelur Kushtetuta kur u është ndërprerë atyre mandati që e kanë marrë prej popullit. E nëse kalojnë dy vjet, mandati konsiderohet i plotë”, ka sqaruar burimi për Express.
Në tërë këtë situatë, sipas gazetës paralajmërimet se Pacolli ka vendosur të tërhiqet nga kandidatura, në këtë takim pothuajse janë konfirmuar tërësisht. Ai do t`u hapë rrugë kandidatëve të tjerë.
Mirëpo, AKR do të vazhdojë të mbetet edhe më tej në Qeveri, por duke marrë më shumë ministri.
Sido që të jetë, këto çështje ende të pambaruara mes krerëve të partive pritet të jenë objekt diskutimesh ditën e sotme në kryesitë e dy partive më të mëdha PDK-së dhe LDK-së.