Kosovë, protestuesit thyejnë kordonin e policisë
Pas bisedës disa minutëshe dhe të pasuksesshme të udhëheqësve të lëvizjes Vetëvendosje me përfaqësues të policisë së Kosovës, të cilëve u është kërkuar heqja e barikadave rrethuese, protestuesit kanë mundur ti largojnë ato duke thyer edhe kordonin e policisë.
Në këtë mënyrë protestuesit e thirrur nga vetevendosje, u gjendën para hyrjes së godinës së qeverisë së Kosovës për të kundërshtuar marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq Policia e Kosovës në një njoftim të shkurtër për media, deklaron se e ka cilësuar ë paligjshme protestën e organizuar nga Vetëvendosje.
Sipas Policisë së Kosovës, në protestë janë bërë pjesë rreth 600 persona. Paraprakisht Policia e Kosovës kishte përgatitur planet operative policore për menaxhimin e situatës së sigurisë dhe sipas tyre, aktualisht gjithçka është nën kontroll. Ka qenë Shefi i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, në Kuvendin e Kosovës, Visar Ymeri, i cili i dha 15 minuta ultimatum policisë së Kosovës, që t`i largonte barrikadat, para hyrjes së qeverisë së Kosovës, në mënyrë që ata të mund të zhvillojnë protestën, që synonte bllokimin e punës së qeverisë.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, Lëvizja Vetëvendosje, po zhvillon protestën e saj në kundërshtim të marrëveshjes së fundit që Prishtina ka arritur me Beogradi, e sipas së cilës, Kosova në forumet rajonale, do të mund të përfaqësohet vetëm duke u shoqëruar me mbishkrimin në të cilin është përfshirë rezoluta 1244 e KS të OKB-së. Qindra protestues, me pankarta të shumta dhe thirrje të vazhdueshme, “Poshtë mbishkrimi”, “Poshtë qeveria”, “Hashim Thaçi shiti Kosovën” po vazhdojnë të protestojnë ndërsa përreth objektit të qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, janë forca të shtuara të policisë së Kosovës, midis të cilëve edhe pjesëtarë të policisë speciale. Para protestuesve është parë, lideri i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, Visar Ymeri, Shpend Ahmeti dhe drejtues të tjerë të lartë të kësaj lëvizjeje.