E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, qëllohet me armë automjeti. 4 të vdekur dhe një i plagosur

Katër persona janë vrarë me armë zjarri në orët e para të mëngjesit, në një pritë të organizuar në aksin rrugor Viti-Kllokot. Kështu bën të ditur Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, duke shtuar se nga 4 personat e vrarë, dy janë shtetas të Kosovës dhe dy tjerë shtetas të Maqedonisë, ndërsa personi i pestë ka mbetur i lënduar dhe është dërguar në spitalin e Gjilanit për t’ju dhënë ndihma e parë.

“Mund të konfirmoj se në orët e hershme të mëngjesit diku pas orës 2 ka ndodhur një gjuajtje me armë në drejtim të një veture civile e cila kishte targa të Kumanovës dhe në atë veturë gjendeshin 5 persona, katër prej tyre kanë humbur jetën... Sipas informatave që ne i kemi 2 prej tyre dyshohet të jenë shtetas të Republikës së Maqedonisë ndërsa 2 të tjerë janë shtetas kosovar” thotë Kelani.

Kelani tha se policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është duke siguruar dëshmi për të identifikuar motivin e këtij incidenti.

“Për momentin, njësitet relevante policisë janë duke u marr me rastin, janë duke hulumtuar për shkaktar të mundshëm të këtij rasti, mirëpo ende nuk kemi ndonjë konfirmim zyrtar se si ka ardhur deri te ky rast” thotë Kelani.

Policia e Kosovës ka filluar kontaktet me autoritetet e Maqedonisë për të bashkëpunuar në lidhje me identifikimin e dy shtetasve maqedonas të vrarë gjatë këtij incidenti. Ndërkohë burime jozyrtare kanë treguar për identitetin e viktimave: Qenan Ademi dhe Qazim Bakija nga fshati Nikushtak, si dhe Qemal Agushi nga fshati Sllupçan. Nga ana tjetër, në mesin e viktimave bëhet i ditur edhe emri i shtetasit të Kosovës, Bardhyl Fetahu.

Bul Salihu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›