Kosovë, qeveria optimiste për marrjen e udhërrëfyesit

Qeveria kosovare beson se gjatë këtij viti BE-ja do t`i ofrojë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka konfirmuar se ka marrë garanci nga europarlamentarët se gjatë këtij viti, Kosova do ta marrë udhërrëfyesin.
“Ne presim që ta marrim udhërrëfyesin brenda këtij viti dhe në kohë rekorde, qytetarët tanë mund të lëvizin lirshëm pa viza në vendet anëtare të Shengenit”, u shpreh ministri.
Hoxhaj thekson se nëse do të ketë vonesa, ky do të ishte mesazhi më negativ për qytetarët e Kosovës.
Zyrtarë të Qeverisë kosovare pohojnë se janë plotësuar të gjitha kushtet që i kërkon Komisioni Europian.
Gjithashtu, zyrtarë të Qeverisë kanë kërkuar nga Brukseli që Kosova në muajt e ardhshëm të lidhë marrëdhënie kontraktuale dhe tregtare me Bashkimin Europian.