Kosovë, seanca e Kuvendit në 27 maj
Në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës që do të mbahet ne 27 maj do të shqyrtohen tre projektligje dhe raportet e punës së disa agjencive që i përgjigjen Kuvendit.
Për herë të parë do të shqyrtohen tre projektligje, ai për ndihmë juridike falas, Projektligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe Projektligjin për eficiencën e energjisë.
Në vazhdim të seancës do të shqyrtohet Propozim-vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me emërimin e anëtarit të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, si dhe raportet e punës për vitin 2010 të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe Agjencisë Kosovare të Pronës.
Po në mbledhjen e sotme, Kryesia ka shqyrtuar edhe Rekomandimin e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, për inicimin e procedurës për emërimin e një anëtari të Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media.
Në bazë të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Medieve (n4), Kryesia kërkon nga të gjitha grupet parlamentare të përfaqësuara në Kuvend që deri më 30 maj, të propozojnë nga një kandidat për anëtar në Këshillin e Komisionit të Pavarur për Media.