E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, serbët marrin pikat statike të policisë në veri

Bajram Rexhepi, kishte vendosur sot disa pika statike të policisë në pjesët neuralgjike të pjesës veriore të Mitrovicës. Mirëpo, ato sot janë marrë nën kontroll nga serbët e rebeluar.

Pak pas orës 13:00, pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë vendosur në zonën e “Tre Rrokaqiejve” një postbllok statik. Menjëherë është dëgjuar alarmi, pas të cilit për pesë minuta janë tubuar qindra serbë në këtë zonë, duke përndjekur dy pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe duke rrotulluar kontejnerin, raporton Kosovapress.

Pika statike të policisë në veri të qytetit ishin vendosur me urdhrin e dhënë dje nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.  Mirëpo, siç raportojnë mediat nga veriu, grupe serbësh i kanë shkatërruar ato dhe tani vetë po i mbajnë nën kontroll, ndërsa policët e Kosovës tashmë janë larguar.

Derisa gjendja është e tensionuar në këtë zonë, banorët shqiptarë janë të shqetësuar për sigurinë e tyre.

Forca të shtuara ndërkombëtare janë duke qarkulluar në këtë vend, ndërsa policë të EULEX-it ka edhe në urën kryesore në lumin Ibër.

Nuk raportohet për të lënduar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›