E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga: S`do ketë ndarje të Kosovës dhe as shkëmbim territoresh

Nuk do të ketë ndarje të Kosovës, e as shkëmbim të territoreve apo popullsisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe nuk do të ketë zgjedhje lokale serbe në territorin e Kosovës. Kështu ka deklaruar presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, duke theksuar se institucionet e Kosovës tashmë e kanë bërë të ditur mënyrën se si mund t`i realizojnë të drejtat e tyre për zgjedhje, qytetarët me dy shtetësi. Ajo ka thënë se zgjidhja e vetme për komunat në veri të Kosovës është mbajtja e zgjedhjeve lokale nën organizimin e institucioneve të Kosovës, si dhe integrimi i tyre në këto institucione.

Ndërkaq kreu i Partisë Socialiste serbe Ivica Daçiç kërkoi ndarjen e Kosovës në dy pjesë. Ai tha se serbët dhe shqiptarët mund të pajtohen, por nuk mund të jetojnë bashkë dhe për këtë arsye nevojitet ndarja në pjesën serbe dhe atë shqiptare të Kosovës, “si zgjidhje e vetme reale”, sipas tij. Këtë deklaratë e dha për një televizion serb dhe në kohën e fillimit të fushatës zgjedhore parlamentare e presidenciale më 6 maj.

Ndarjen e Kosovës e kërkoi edhe ish ambasadori britanik në serbi Ivor Roberts, në një kohë kur autoritetet e Prishtinës vazhdojnë të kundërshtojnë më forcë shkëmbimin apo ndarjen e territoreve të Kosovës. Ai tha se për Kosovën duhet të gjendet zgjidhje e re pas sipas tij më pak se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së e kanë njohur pavarësinë. Roberts tha se zgjidhja më e mirë do të ishte ndarja e Kosovës dhe që pjesa veriore mbi lumin Ibër t`i takojë Serbisë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›