E Diel, 1 Nëntor 2026

Një senator republikan fyen Obamën

Senatori republikan nga Iowa, Chuck Gresley, ka deklaruar se presidenti i SHBA-së, Barack Obama, është i marrë, me rastin e komenteve të tij të fundit për punën e Gjykatës Supreme, e cila do të vendosë se a është në përputhje me kushtetutën ligji i ri për sigurim shëndetësor.

Në profilin e tij në Twitter, senatori Gresley shkroi se amerikanët nuk janë të marrë, si ky “ish-profesor i të drejtës kushtetuese”, duke komentuar zhvillimet në lidhje me ligjin për sigurimin shëndetësor, i cili është mbështetur nga Obama.

Obama theksoi se pret që Gjykata Kushtetuese të mbështesë ligjin, i cili kundërshtohet ashpër nga republikanët.

Këshilltari politik i Obamës, David Axelrod, nuk i mbeti borxh Gresleyt, duke e përqeshur atë gjithashtu nëpërmjet Twitterit.

“Kokën lartë senator Gresley. Duket se një fëmijë gjashtëvjeçar ka hyrë në faqen tuaj në Twitter, për të dërguar një porosi të çmendur, vetëm sa për të ju turpëruar”, shkroi Axelrod.

Demokratët dhe republikanët janë në konflikt të ashpër kur bëhet fjalë për ligjin për sigurim shëndetësor, i cili me angazhimin e jashtëzakonshëm të Obamës u miratua para dy viteve, ndërsa tani do të vendoset për kushtetutshmërinë e tij.

Administrata e Obamës synon të zgjerojë sigurimin shëndetësor në më shumë se 30 milionë amerikanë pa sigurim, si dhe të ngadalësojë shpenzimet e zgjerimit të sistemit shëndetësor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›