Kosovë, serbët nisin heqjen e barrikadavenë veri të vendit

Pas më shumë se një muaj të bllokuara më në fund janë liruar disa nga rrugët që të çojnë në veri të Kosovës. Sipas mediave kosovare serbët e veriut të Kosovës, kanë nisur të largojnë barrikadat në rrugët që çojnë në drejtim të vendkalimeve kufitare 1 dhe 31.
Lajmin e ka konfirmuar për media kosovare edhe zëdhënësi i Policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti.
“Barrikadat janë duke u larguar nga vetë banorët. Do të shohim gjatë ditës se si do të zhvillohen ngjarjet dhe nëse KFOR-it do t`I duhet të ndërhyjë për të larguar barrikadat e tjera që janë pengesë nëpër rrugë. Por, me rendësi është që me inisiativë banorët kanë filluar t`i lëvizin disa nga barrikadat”, tha Hoti.
Strukturat paralele të tre komunave të veriut, pas takimit të zhvilluar ditën e mërkurë vendosën të lirojnë disa nga rrugët që të çojnë në veri të Kosovës por vetëm për forcat e KFOR-it, me qëllim furnizimin me ushqim të ushtarëve që ndodhën në vendkalimet kufitare Bërnjak dhe Jarinjë.
Por, kjo lëvizje thuhet se mund të realizohet vetëm në rrugë të caktuara dhe vetëm gjatë ditës. Deri më tani, zyrtarët e KFOR-it nuk janë shprehur ende nëse e kanë pranuar apo jo një vendim të tillë të serbëve.