Thaçi: UMNIK-u ka shkelur mandatin
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është thirrur nga Kuvendi për një interpelancë, për të raportuar për situatën në veri të Kosovës . Ai deklaroi se operacioni në veri të Kosovës "ishte përkushtim për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri dhe qëllim zhbërjen e grupeve kriminale dhe struktruave paralele".
Në fjalën e tij në seancën e Kuvendit Thaçi theksoi se qytetarët në veri kanë qenë të friksuar nga bandat dhe krimi i organizuar, ndërsa shtoi se ata janë përpjekur për të zgjeruar pushtetin më tej. “Prandaj lindi nevoja për vendosjen e rendit në veri të Kosovës” shtoi Thaçi.
Duke e cilësuar si kaotike situatën në veri të Kosovës, Thaçi ka akuzuar UMNIK-un se duke lejuar formimin e bandave kriminale në veri ka shkelur mandatin.
"Duke shkelur mandatin UMNIK ka ndihmuar ndarjen de fakto të serbëve nga banorët e tjerë të zonës. UMNIK-u duke lejuar që bandat kriminale të zhvillohen ka shkelur rezolutën 12 44 dhe ka cënuar kështu territorin e Kosovës” ka theksuar Thaçi.
Duke iu referuar bisedimeve Kosovë-Serbi, kryeministri Thaçi ka theksuar se “dialogu për çështje teknike është rezultat i obligimeve ndërkombëtare që ka pranuar ky Kuvend. "Prandaj qeveria e kosovës zbaton vendimet e Kosovës” ka shtuar Thaçi.
Ai ka shtuar se qeveria e Kosovës nuk është në konflikt me qytetarët në veri, por me ata që po pengojnë zhvillimin ndërsa ka paralajmeruar se përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.
“Eshtë investuar ndjeshëm për infrastrukturën në veri. Strategjia për veriun ishte një përkushtim i qeverisë”, tha Thaci gjate fjales se tij.
Ai ka komentuar edhe bllokimin e hyrjes së mallrave serbë në Kosovë, dhe më pas për aksionin në këtë zonë, duke pranuar se gjendja e krijuar ka patur ndikime negative.