E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, themelohet Partia Popullore Malazeze

Partia Popullore Malazeze e Kosovës (NCPK) është emri i organizatës së re politike që është regjistruar në KQZ në Prishtinë, ka bërë të ditur kjo parti, që pritet të angazhohet për të drejtat e malazezve në Kosovë.
Kryetari i kësaj partie është Lazar Raduloviç, ndërsa partia , siç thuhet në një komunikatë për media, do të angazhohet për të drejtat e refugjatëve dhe popullatës së zhvendosur malazeze dhe të tjerëve, që të kthehen në shtëpitë e tyre, sikurse edhe të sigurojë ndihmën ekonomike për këta persona.
Gjithashtu në deklaratë thuhet se kjo parti do të angazhohet për zgjidhjen e pozitës kushtetuese të popullatës malazeze në Kosovë, për afirmimin e të drejtave njerëzore e lirive dhe për mbajtjen e lidhjeve ekonomike, arsimore, kulturore dhe të tjera me shtetin amë Malin e Zi, dhe shtetet tjera të rajonit. "Do të angazhohemi për barazinë e të gjithë qytetarëve dhe popujve, pakicave kombëtare dhe grupeve etnike në Kosovë", thuhet në komunikatën e kësaj partie, të cilën e transmetojnë mediat serbe.
Podgorica zyrtare disa herë ka kërkuar nga drejtuesit e institucioneve të Kosovës të shqyrtojnë çështjen e malazezve në Republikën e Kosovës, si dhe çështjen e kthimit të personave të zhvendosur nga Kosova, të cilët aktualisht janë duke jetuar në Malin e Zi.
Madje, në mënyrë të tërthortë është thënë se kjo është arsyeja pse Mali i Zi ende nuk është shprehur i gatshëm për t'i vendosur marrëdhëniet diplomatike me Kosovën, pavarësisht faktit se e ka njohur atë si shtet të pavarur dhe sovran.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›