E Martë, 3 Nëntor 2026

Kosovë, vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit do të mbahet të enjten në mesditë

PRISHTINË, 16 prill/ATSH/ Vazhdimi i seancës për konstituimin e përbërjes së legjislaturës së re, e cila ka dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, do të mbahet të enjten në orën 12:00, thuhet në kalendarin e Kuvendit të Kosovës.

Seanca, e ndërprerë të martën, duhej të vazhdonte brenda 48 orëve nga ndërprerja, dhe vjen pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi që ajo të vazhdonte në përputhje me ligjet.

Të mërkurën më herët, Osmani tha në përgjigjen e saj për kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari, se“…Funksionalizimi i institucioneve të dala nga vullneti i qytetarëve është obligim kushtetues i çdo institucioni dhe çdo personi të mveshur me autoritet publik”.

“Në rastin konkret, ky është obligim i juaji si kryesues i seancës konstituive si dhe i të gjithë deputetëve të zgjedhur në Legjislaturën e Nëntë të Kuvendit. Rrjedhimisht, gjithashtu ju rikujtoj se fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstituive ta vazhdoni jo më vonë se brenda dyzet e tetë orëve nga ndërprerja e saj”, thuhej në letër.

Dehari i ishte drejtuar Osmanit të mërkurën në mëngjes me një kërkesë për të sqaruar se si të veprohej më tutje pas ndërprerjes së seancës konstituive të martën.

Kuvendi i Kosovës dështoi të martën ta konstituojë përbërjen e legjislaturës së re, e cila ka dalë nga zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 9 shkurt. /rel/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›