SHBA – Trump: Do të ofrojmë para dhe bileta avioni për emigrantët që vetëdeportohen

UASHINGTON, 16 prill /ATSH/- Presidenti amerikan, Donald Trump tha se do të ofronte para dhe bileta avioni për çdo emigrant që ndodhet në SHBA në mënyrë të paligjshme – që zgjedh të vetëdeportohet – një shkëputje nga retorika e tij e zakonshme për emigracionin, sipas AP.
Trump, i cili gjatë fushatës u zotua se do të kryente deportime masive – tha në një intervistë për “Fox Noticias” – se administrata e tij ishte e fokusuar në nxjerrjen e “vrasësve” nga vendi.
Por, për emigrantët e tjerë ilegal në SHBA, Trump tha se do të zbatonte një program vetëdeportimi.
Trump njoftoi disa detaje rreth planit, duke thënë se do t’u siguronte emigrantëve biletat ajrore dhe një pagë.
“Ne do t’u japim atyre një pagë. Ne do t’u japim atyre disa para dhe një biletë avioni, dhe më pas do të punojmë me ta – nëse ata janë të mirë – nëse duam që ata të kthehen, ne do të punojmë me ta për t’i kthyer ata sa më shpejt që të mundemi”, tha Trump.
Presidenti republikan tha gjithashtu se dëshiron të ndihmojë hotelet dhe fermat të marrin punonjësit që u nevojiten dhe të rekomandojë njerëzit për të plotësuar pozicionet e nevojshme.
“Ne po bëjmë një vetëdeportim dhe do ta bëjmë atë të rehatshëm për njerëzit”, tha Trump. “Dhe ne do të punojmë me ata njerëz që të kthehen legalisht në vendin tonë”, shtoi ai. //a.i/