Kosovë,Bashkim Smakaj zgjidhet shefi i shërbimit sekret
Kosova më në fund do të ketë një shef të shërbimit sekret. Bashkim Smakaj u emërua të enjten drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ndërsa emërimin e tij e kanë bërë publike presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, në një konferencë të përbashkët për mediat.Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, dhe kryeministri i Republikës së Kosovës morën vendimin për emërimin e Bashkim Smakajt, me vendbanim në Prishtinë, si drejtor të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Presidenti Sejdiu, tha se, Smakaj është emëruar në këtë post pas marrëveshjes mes partnerëve të koalicionit qeverisës, ndërsa kryeministri Thaçi e vlerësoi lart figurën e Smakajt, duke e cilësuar atë si profesionist dhe njeri të gatshëm për t'i shërbyer vendit me devotshmëri.Ndërkaq shefi i inteligjencës kosovare, Smakaj, tha se është i privilegjuar që i është besuar kjo detyrë. Smakaj theksoi se Agjencia "do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe do jetë e hapur për të gjitha bashkësitë". Ai ka shtuar se në mesin e detyrave kryesore të AKI-t do të jenë mbledhja e informacionece, kundërspiunazhi, lufta kundër terrorizmit, lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës. Deri tani ai ka qenë drejtor i planifikimit strategjik të akteve normative dhe ndërlidhjes me policinë kufitare në Policinë e Kosovës. Smakaj ka të kryer Fakultetin e Biologjisë si dhe Fakultetin e Shkencave Politike, Dega Administratë Publike. Smakaj është zgjedhur për një mandat 5 vjeçar, por me mundësi të rizgjedhjes, ashtu siç e parashikon ligji për Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.