Kosovë,Kushtetuesja: Ja pse s`mund t`i ndërpritet mandati presidentes

Gjykata Kushtetuese ka dhënë shpjegimet përfundimtare se përse Atifete Jahjagës nuk mund t`i ndërpritet mandati presidencial me amendamente dhe me marrëveshje politike. Në aktgjykimin mbi 40 faqesh që ka lëshuar kjo gjykatë, thuhet se Jahjaga me 7 prill të vitit të kaluar ka marrë besimin e shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta drejtuar shtetin në mandat pesëvjeçar.
Vendimi për emërimin e saj asokohe, i është dërguar Kryesisë së Kuvendit, Qeverisë dhe Arkivit të Kosovës. Mbështetur në këtë vendim, Kushtetuesja ka nxjerrë përfundimin se ndërprerja e parakohshme e mandatit të presidentes, e shkaktuar nga futja e sistemit të ri zgjedhor, pakëson të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës.
“I gjithë populli i Kosovës pret që ajo të jetë presidentja e tyre gjatë pesë vjetëve të ardhshme”, thuhet në aktgjykim. Ndërkaq, shpallja e zgjedhjeve presidenciale gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese, sipas Kushtetueses, shkurton mandatin e Jahjahges, gjë që u cilësua si jokushtetuese nga kjo gjykatë.
Këto vlerësime, ndërkaq, hedhin poshtë pretendimet e Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit për largimin e Atifete Jahjagës nga posti i saj si dhe mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në 2013, siç e kishin menduar në bazë të marrëveshjes së prillit të vitit të kaluar. Thaçi tashmë është deklaruar se do të respektojë çdo vendim të Gjykatës, ndërkohë që Pacolli dhe Mustafa kërkojnë me ngulm zbatimin e marrëveshjes së prillit. Mustafa madje kërcënon me mosvotim të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend në rast se Jahjaga vazhdon mandatin e saj.