Kosovë,anëtarët e PDK-së denoncojnë partinë për parregullsi

Partia Demokratike e Kosovës, e cila doli e para në zgjedhjet e 12 dhjetorit, sipas rezultateve paraprake të KQZ-së, duket se, nuk ka telashe vetëm me rivalët e saj lidhur me rezultatin në Skenderaj. I pakënaqur me procesin atje është edhe Gani Koci, kandidat i PDK-së, i cili ka paraqitur një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Koci ka thënë se këtë e bëri për ta mbrojtur votën e tij. Ankesa për parregullsi në Skenderaj ka edhe kandidati tjetër për deputet i PDK-së nga Skenderaj, Murat Musliu, i cili akuzoi partinë e tij për manipulim me vota dhe parregullsi gjatë procesit zgjedhor në këtë komunë. Musliu tha se është i gatshëm të argumentojë përmes pamjeve filmike, se komisionerët në disa vendvotime në këtë komunë, votat e kandidatëve të PDK-së, nuk i kanë numëruar fare, por i kanë vendosur në formularë, sipas një liste të imponuar nga persona të fuqishëm dhe zyrtarë të lartë të pushtetit lokal në Skenderaj dhe të PDK-së. Musliu ka folur edhe për një marrëveshje të fshehtë mes PDK-së dhe LDD-së që është bërë me qëllim që LDD të marrë vota përmes votimit të shumëfishtë nga komisionerët e PDK-së me qëllim që kjo parti të arrijë pragun zgjedhor.
Reagimet nga subjektet politike që ishin pjesë e garës zgjedhorë në Kosovë kanë vazhduar edhe gjatë orëve të fundit. Shefi i Shtabit Zgjedhor të AAK-së, Blerim Kuqi tha se rastet e Drenasit dhe të Skënderajt janë vetëm sa për shpërqendruar vëmendjen dhe se manipulime të votave ka patur edhe në shumë komuna të tjera. Më herët edhe Përfaqësuesja e AKR-së, Mimoza Kusari Lila, ka deklaruar se rezultati i KQZ-së për zgjedhjet e 12 dhjetorit, është i manipuluar. Ajo theksoi se fitorja e PDK-së është një festë e parakohshme. Ndërkaq “Vetëvendosje” nuk i pranon rezultatet në katër komuna dhe nuk i njeh ato në Drenas, Skënderaj, Malishevë dhe Deçan. Reagime kanë ardhur edhe nga kryesuesja e listës së përbashkët serbe, Rada Trajkoviç, e cila kërkon përsëritje të zgjedhjeve në Shtërpcë dhe Graqanicë. Sipas saj votimi në këto dy komuna ka patur manipulime të mëdha të nxitura nga Partia e Pavarur Liberale e drejtuar nga Sllobodan Petroviç. Në këtë situatë, duket se Kosova mund të hyjë në një krizë qeveritare menjëherë pas zgjedhjeve, nëse partitë politike u qendrojnë deklaratave të tyre, të bëra gjatë fushatës. Të paktën kështu shkruan e përditshmja kosovare "Zëri", e cila i referohet faktit se partitë kryesore si LDK, AAK dhe “Vetëvendosje” refuzojnë të qeverisin me PDK-në, që nga rezultatet paraprake rezulton fituese.
Sipas gazetës, partia e kryeministrit Hashim Thaçi shpreson të gjejë një aleat tek partitë e vogla dhe tek partitë e pakicave për të formuar qeverinë.
Deri tani vetëm AKR-ja e Behxhet Pacollit nuk ka vendosur një vijë të kuqe për ndonjë subjekt politik, ndërkohë që LDK dhe AAK e kanë vendosur atë për PDK-në dhe nuk kanë ndërmend ta kalojnë.