DV: Ka bazë për anulimin e rezultateve në Skënderaj e Drenas
Rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” ka publikuar të dhënat paraprake për ecurinë e përgjithshme të zgjedhjeve parlamentare dhe ato për komunën e Skenderajt dhe të Drenasit.
Për shkak të parregullsive të evidentuara nga vëzhguesit e këtij rrjeti këto dy komuna ishin përjashtuar nga rezultati paraprak për zgjedhjet e 12 dhjetorit.
Në një konferencë për mediat kreu i “Demokracisë në Veprim”, Ismet Kryeziu foli për llojin e shkeljeve që janë bërë në Skenderaj dhe Drenas.
Ai tha se ka bazë për të kërkuar anulimin e rezultateve në këto dy komuna dhe të kërkohet shpallja e rivotimit.
Mirëpo, Kryeziu tha se duhet të pritet shqyrtimi i ankesave nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.