Kosovë,qeveria hedh poshtë bisedimet për pikat doganore

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka hedhur poshtë mundësinë e diskutimit të pikave doganore të veriut në raundin e ardhshëm të bisedimeve.
“Temat janë të përcaktuara, sikurse janë të përcaktuara temat që nuk do të mund të diskutohen asnjëherë - pikat doganore janë çështje që i takojnë sovranitetit tonë dhe organizimit të brendshëm juridik dhe kushtetues”, tha Kuçi gjatë një takimi me gazetarët.
Çështja e diskutimit për pikat doganore në Bruksel është iniciuar nga shefi i ekipit negociator serb, Borisllav Stefanoviç, i cili ka thënë se për këto tema do të flitet vetëm me Brukselin, por jo edhe me delegacionin e Prishtinës.
Por, Maja Kocijanqiç, zëdhënëse në kabinetin e shefes së diplomacisë evropiane, Kethrin Eshton, i tha Radios Evropa e Lirë se deri më tani në axhendë të bisedimeve janë vetëm energjia, telekomunikacioni dhe bashkëpunimi rajonal.
"Nuk mund të spekuloj se çfarë do të sjellë njëra apo pala tjetër”, tha Kocijanqiç.