Kouchner: Nuk ka autonomi për Veriun

Ish-shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Bernard Kouchner, duke folur për veriun e Kosovës, ka thënë se pjesës veriore të Kosovës nuk i duhet autonomia substanciale. Kosova është njohur nga afro 100 shtete. Ai ka shtuar se në dialogun politik në mes Kosovës dhe Serbisë ende ka çka të bisedohet për veriun e Kosovës.
“Ju jeni të pavarur dhe afër 100 shtete e kanë njohur pavarësinë dhe të tjerat do të vijnë. Autonomia substanciale nuk është e nevojshme dhe ishte e qartë kur unë kam ardhur. Në fakt autonomia substanciale ka domethënien e rrugës drejt pavarësisë. Por unë isha duke folur për pjesën veriore deri në Mitrovicë dhe mendoj se ka hapësirë për negociata për këtë pjesë të vendit, për autonomi substanciale, ashtu siç ka qenë që nga fillimi i krizës të përcaktuar nga komuniteti ndërkombëtar, pastaj nga plani Ahtisaari”, ka thënë ai.
Kurse sa i përket integrimit të Kosovës në BE, Kouchner ka thënë se Serbia duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës nëse ajo dëshirën të jetë pjesë e BE-së.
“Po, kjo është bërë, jo plotësisht si një deklaratë politike, sepse ka kushtëzime që vijnë nga Brukseli për çdo shtet sikur që ishte për Kroacinë dhe natyrisht paqja dhe kontributi paqësor për të biseduar me fqinjët e juaj janë pjesë e kushtëzimit. Nuk jam plotësisht në dijeni për deklaratat tjera, po mendoj se deklarata e zonjës Merkel në vizitën e saj atje ishte mjaft e qartë dhe deklarata ime në herën e fundit ishte mjaft e qartë”, ka thënë ai.
Ndërkaq lidhur me trafikimin e organeve, ai ka thënë se në kohën sa ishte në krye të UNMIK-ut në Kosovë kurrë nuk kishte dëgjuar për gjëra të tilla.
“Unë kurrë, kurrë, kurrë nuk kam dëgjuar për trafikim të organeve në kohën kur unë kam qenë në krye dhe kemi pasur 45 000 ushtarë duke përfshirë edhe Shqipërinë me policinë dhe gjithë ndërkombëtarët në dispozicion”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se kanë kërkuar për mbetje mortore si dhe për varreza masive, por nuk kanë arritur të gjejnë diçka që dëshmon në këtë drejtim.
Për më tepër, Kouchner e ka përshëndetur progresin e arritur në Kosovë, duke kërkuar që të bëhet edhe më shumë.