E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urime ditëlindjen!

Celticu u bëri një dhuratë fantastike tifozëve të tij, duke mposhtur Barcelonën 2-1 në 125 vjetorin e themelimit të klubit. Gjiganti skocez mundi atë katalan në kuadër të Grupit G në Ligën e Kampionëve dhe realizoi një “mrekulli”. Trajneri Neil Lennon e përshkroi si “një prej netëve më krenare”, kurse debutuesi Tony Watt, 18 vjeç, ende feston golin ndaj Barcelonës.

Futbollistët e Celticut dhe skuadra e udhëhequr nga Neil Lennon u dhanë tifozëve të klubit dhuratën më të mirë për 125 vjetorin e themelimit, duke mposhtur njërën prej skuadrave më të mirë në botë - Barcelonën.

Po, mirë e lexuat, Celticu mposhti Barcelonën 2-1 në kuadër të xhiros së katërt në Grupin G. Lennon e përshkroi si “arritje e jashtëzakonshme” dhe “një prej netëve më krenare” të karrierës së tij. Tony Watt, 18 vjeçari i Celticut debutoi në garën elite të klubeve evropiane në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ai shënoi golin e epërsisë 2-0 dhe ndihmoi skuadrën drejt fitores historike ndaj gjigantit katalan. Në shënimin e tij asistoi portieri, në aksion gjatë të cilit Xavi nuk arriti të ndalte topin. Atë e shfrytëzoi Watt, i cili mposhti Victor Valdesin. “E pash Valdesin se si vrapon. I thash vetes se duhet ta dërgoja topin pas tij dhe e bëra”, deklaroi Watt për Sky Sports News, teksa vazhdoi:

“A është ky momenti më i mirë në karrierë? Sigurisht se po, karriera ime është e re. Kjo është një mrekulli. Kush do të kishte paramenduar se do të mposhtnim Barcelonën, e për më tepër që unë të shënoja gol. S’ka më mirë se kjo. Tifozët kanë qenë fantastikë. Dridhej gjithçka nga fillimi deri në fund. Derisa unë ulesha në bankinë (Watt hyri në lojë në minutën e 72-të), ishte diçka e jashtëzakonshme. Në përgjithësi ka qenë një mbrëmje fantastike”.

Edhe në këtë duel, gjiganti katalan dominoi me posedimin e topit (72%), dhe me goditjet drejt portës (24-5), në kornizë (14-4). Por, fitorja i takoi Celticut dhe atë për përvjetorin e 125-të të themelimit të klubit. “E njëjta gjë na ndodhi edhe në Nou Camp. Ata u mbrojtën, kurse na rrezikuan me kundërsulme”, deklaroi Messi, realizatori i golit të vetëm për Barcelonën. Kurse trajneri i tij, Tito Vilanova, uroi futbollistët e tij për paraqitjen, por edhe kundërshtarin për fitoren.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›