E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi- Borion:Franca përkrah Kosovën për njohjet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi ka deklaruar se përpjekjet e UNMIK-ut për të lëvizur marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk do të kenë rezultat, dhe kjo jo për shkak se Prishtina nuk është e gatshme, por për shkak të qëndrimit refuzues të politikës së udhëhequr nga Beogradi. Krasniqi i bëri këto komente pas takimit me ambasadoren e Francës në Prishtinë, Delfin Borion. "Mendoj që tani UNMIK është duke përmbyllur punën e tij dhe realisht ne e respektojmë këtë përpjekje të fundit të administratës së UNMIK-ut për të lëvizur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, por mendojmë se kjo është e pamundur për faktin se në Beograd udhëhiqet një politikë e bojkotimit dhe mosnjohjes, një politikë që dëshiron të prodhojë destabilitet dhe pasiguri në Kosovë, por jo edhe për të ndërtuar marrëdhënie të reja", tha Krasniqi. Kryeparlamentari kosovar ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të interesuara të bashkëpunojnë me EULEX-in, i cili ka angazhime shtesë në Kosovë, që dikur i ka pasur administrata ndërkombëtare. Përsa i përket ftesës së kryeministrit Thaçi për presidentin serb Boris Tadiç, Krasniqi u shpreh se kryeministri Thaçi ka të drejtë të shprehë vullnetin e tij të mirë për të ndërtuar marrëdhënie të mira ndërshtetërore me Serbinë. Ndërkaq ambasadorja franceze, Delfin Borion i ka shprehur edhe një herë kryeparlamentarit Krasniqi mbështetjen e Francës për Kosovën, pas njëvjetorit të shpalljes së pavarësisë. Ajo u shpreh e bindur se shumë shtete afrikane janë duke pritur që Kosovën ta njohë së pari Organizata e Unionit Afrikan, ndërsa më vonë të pasojnë njohjet nga shtete të veçanta.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›