E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: Duhet të bisedohet me përfaqësuesit e serbëve të veriut

Duhet të ketë bisedime me përfaqësuesit serbë të pjesës veriore të Kosovës, që ata t’i shfrytëzojnë të drejtat dhe liritë e veta që i kanë edhe me kushtetutë dhe me ligjet e Republikës së Kosovës, ka thënë kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, në një konferencë për media të mërkurën pas takimit që pati me homologun e tij nga Irlanda e Veriut, William Hay.

Kreu i Kuvendit të Kosovës ka thënë se janë të vetëdijshëm se në veri të Kosovës ekziston një problem, por ka shtuar se janë të bindur se oferta e institucioneve të Republikës së Kosovës, e cila buron nga dokumenti i presidentit Ahtisaari, është një ofertë e mirë, që hap perspektivë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ai ka shtuar se duhet të bisedohet me përfaqësuesit e serbëve në pjesën veriore të Kosovës, në mënyrë që ata t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

“Ne jemi të vetëdijshëm se në veri kemi një problem dhe një pjesë të komunitetit serb dhe se ne jemi të bindur se oferta e jonë që buron nga dokumenti gjithëpërfshirës i dokumentit Ahtisaari, është një ofertë që ka perspektiva për të gjithë qytetarët, por edhe për qytetarët serbë të pjesës veriore. Duhet të ketë bisedime me përfaqësuesit serbë të pjesës veriore të Kosovës, që ata t’i shfrytëzojnë të drejtat dhe liritë e veta që i kanë edhe me kushtetutë dhe me ligjet e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërsa homologu i tij nga Irlanda e Veriut, William Hay, ka thënë se nga përvoja e shtetit të tij në këtë aspekt, mbështetja ndërkombëtare ka qenë kyçe në proceset që ka kaluar Irlanda e Veriut.

“Ajo çka ka qenë e rëndësishme nga përvoja e Irlandës, ka qenë mbështetja ndërkombëtare, ka qenë kyçe në arritjen e zgjidhjeve politike, por edhe një element shumë i rëndësishëm, është se të gjithë faktorët, të gjithë lojtarët politikë të angazhohen në proceset që askush të mos mbetet jashtë lojës dhe atyre duhej t’u dërgohej një sinjal i qartë se duhet të hiqni dorë nga dhuna dhe që të ecim përpara dhe që pronësia të ishte e përbashkët në proceset politike”, ka thënë ai.

Ndryshe, vizita e kryetarit të Kuvendit të Irlandës së Veriut, William Hay, vjen si mbështetje e këtij shteti në proceset që po kalon Kosova dhe për t’i shkëmbyer përvojat ndërshtetërore, kur dihet se Irlanda e Veriut ka pasur një përvojë pothuajse të ngjashme me Kosovën./kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›