Veriu sfidë për Qeverinë e Kosovës

Pas mbajtjes së mbledhjes së qeverisë, zëvendëskryeministri, Kuçi ka dalë në një konferencë për media. I pyetur për arrestimet e serbëve dhe mundësin e arrestimeve të tjera në veri të Kosovës, në rast se, si në rastin te Dheun e bardhë, serbët kapen me material zgjedhor të Serbisë , Kuçi ka thënë se kudo që takohen ata persona do të arrestohen, por ka theksuar se veriu mbetet një sfidë për qeverinë.
“Ju e dini, qeveria e Kosovës i ka shpallur ilegale ato zgjedhje. Natyrisht, organizatorët e tyre apo tentuesit për organizim do të trajtohen për veprimet e tyre ilegale, sipas ligjit. Edhe trajtimi i tillë është sipas prokurorisë dhe gjyqësorit, por e kanë mandatin e plotë të i trajtojnë si veprime ilegale. Kudo që ata takohen në cilën do pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Në veri jemi të sfiduar më shumë se sa në pjesët e tjera, por kur ka mundësi policia e Kosovës, EULEX-i e kanë mandatin për veprime tilla”, ka deklaruar Kuçi.
Ndërsa në lidhje me deklaratat e Komisioneri për zgjerim të BE-së Stefan Fyle për veriun e Kosovës, Kuçi ka thënë se kjo është sqaruar dje që nuk ka një plan sekret për veriun.
“E para ka qenë mirë që komisioneri Fyle ka treguar që nuk ka plan sekret sikur që është propozuar për veriun dhe besoj se kjo u pa qartë. Dhe e dyta, po ashtu, besoj me të drejtë që është në dorën e Kosovës si e mendon atë plan dhe ne mendojmë që plani i Ahtisarit, Kushtetuta e Kosovës bashkëpunimi ynë me qytetarët serb atje është zgjidhja më e mirë në atë pjesë të Kosovës”, ka thënë ai.
Kuçi po ashtu ka folur edhe për ndryshimet kushtetuese, pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës
Sipas tij, kabineti qeveritar ka miratuar propozimet për amandamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që këtë vit pritet të përfundojë pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës. Disa nga ministrat kanë pasur vërejtjet e tyre, pasi nuk janë njoftuar me kohë me ndryshimin e amendamenteve kushtetuese, por zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi ka thënë se do të diskutohen më vonë të gjithë çështjet.
Në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, me këtë rast zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, duke folur për shqyrtimin e propozimeve për amandamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka thënë se ekzekutivi i vendit po përgatit legjislacionin adekuat për përmbylljen e pavarësisë së Kosovës.
“Ashtu sikur ka marrë vendim Qeveria e Republikës së Kosovës, që të përgatis legjislacionin adekuat për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, me këto propozime të amandamentimit të Kushtetutës, ne po përfundojmë punën tonë që ka të bëjë për legjislacionin, që ndryshon mbikëqyrjen e pavarësisë së Kosovës dhe bart në tërësi kompetencat në institucionet vendore”, ka thënë Kuçi.
Sipas tij në mbështetje të nenit 93 pika 9 dhe nenit 144 të Kushtetutës Republikës së Kosovës, duke marr parasysh edhe rezolutën për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës në janar të këtij viti dhe me rregulloren e Qeverisë, propozohet amandamentimin i Kushtetutës së Republikës me 22 amandamente, me të cilat përfshin ndryshimin e pozicioneve dhe të kompetencave që i kanë përfaqësuesit civilë ndërkombëtar.
Njëkohësisht parashihet ruajtja e masave efektive për të drejtat e komuniteteve, por edhe mundësinë që të emëruarit e përfaqësuesit civil ndërkombëtar, të kryejnë mandatet sipas atyre që janë emëruar.
Kuçi ka thënë se ndryshimi i plotë i Kushtetutës besohet që do të kryhet para shtatorit të këtij viti, respektivisht qeveria do të punojë që kjo të kryhet para pushimit të verës.
Nga ana tjetër, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenat Rashiq ka shprehur brengën që nuk është i njoftuar shumë me këto ndryshime që janë bërë, duke kërkuar më shumë kohë.
“Edhe pse Kosova e ka agjendën e përcaktuar dhe ne e përkrahim atë agjendë dhe amandamentimet që janë propozuar, jam i sigurt që janë të domosdoshme, por një arsye nuk dihet saktë në amandamentet dhe nenet të cilat fshihen dhe unë nuk e di cilat janë ato nene”, ka thënë Rashiq.
Por zëvendëskryeministri, Kuçi ka thënë se ato nene janë fshirë pasi që kanë të bëjnë më pavarësinë e mbikëqyrur, ndërsa ka shtuar se ky është vetëm është hapi i parë, pastaj do të ketë kohë për diskutim.
Në takim u raportua se Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka kërkuar 300 mijë euro për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunën e Ferizajt. Por ministri i Financave, Bedri Hamza ka thënë se KQZ-ja ka buxhet të mjaftueshëm të saj edhe për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe nuk është e nevojshme t’i ndahet buxhet shtesë.
Sërish ka ndërhyrë zëvendëskryeministri, Kuçi duke thënë se qeveria mund të merr vendime për zotimin e këtyre mjeteve, ndërsa mënyra e shfrytëzimit do të koordinohet me ministrin e Financave.
Qeveria në mbledhjen e saj ka miratuar koncept-dokumentin për hartimin e Projektligjit për regjistrimin e bujqësisë, po ashtu projekt-udhëzimin administrativ për kartelat zyrtare të mbikëqyrësve shtetëror.
Gjithashtu është miratuar propozim-vendimi për reduktimin e alokimeve për shpenzime
në buxhetin e vitit 2012, është shqyrtuar raporti i vlerësimit të përshtatshmërisë së sistemit të financimit për komunat për vitin 2011.
Është miratuar propozim-vendimi për propozimin e anëtareve të Bordit të pavarur për rishqyrtimin e ankesave, gjithashtu është shqyrtuar raporti për zbatimin e planit të veprimit për partneritetin evropian.
Në mbledhjen e sotme është shqyrtuar edhe plani i veprimit për zbatimin e strategjisë për reformën e administratës publike. Po ashtu kabineti qeveritar, ka marr vendim për ndarjen e mjeteve në vlerë prej 20 mijë euro për manifestimin e ditëve të komunitetit turk në Kosovë, si dhe ndarjen e mjeteve prej 10 mijë euro për manifestimin e festës memorialë të romëve të Kosovës më 8 prill./kosovapress/