Krasniqi: Duhet të zbardhet lufta jonë e pastër

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi në një intervistë të dhënë për Kosovapress ka thënë se i është bërë padrejtësi vendit tonë me raportin e Dik Martit, prandaj duhet që sa më parë të zhvillohen hetimet dhe të shihet e vërteta dhe lufta e pastër e popullit të Kosovës dhe UÇK-së.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar draft-rezolutën për Kosovën me shumicë votash, e cila është hartuar mbi bazën e raportit të raportuesit Dik Marti. Me propozimin e delegacionit shqiptar është ndërruar emri i draft-rezolutës, duke shprehur në titull nevojën për hetimet lidhur me këto pretendime.
Për ushtruesin e detyrës së presidentit të Kosovës e gjithë kjo ngjarje është një padrejtësi ndaj Kosovës, ndërsa ka shprehur gatishmërinë që institucionet dhe shteti i Kosovës të përballen me ato pretendime.
“Ne jemi të gatshëm të përballemi dhe dëshirojmë të përballemi si Kosovë për atë periudhë, se jemi të bindur se nuk mund të dëshmohet në asnjë formë ajo, por neve na intereson zbardhja dhe pastërtia e asaj lufte që ka zhvilluar populli i Kosovës”, ka thënë ai.
Sidoqoftë pasi janë votuar amandamentet e propozuara, shumica e të cilave janë refuzuar, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar draft-rezolutën për Kosovën me shumicë votash, e cila është hartuar mbi bazën e raportit të raportuesit Dik Marti, i cili akuzon drejtuesit e UÇK-së.
Miratimi i draft-rezolutës, Krasniqi thotë se ka qenë i pritur pasi që prezentë në Këshillin e Evropës kanë qenë shumica e vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe nuk pajtohen ende me realitetin e ri të krijuar në vend.
“Institucionet e Kosovës realisht e kanë thënë fjalën e vet, ajo çka mund të varet nga institucionet e Kosovës dhe njerëzit që janë të etiketuar në atë raport është që të kërkojnë një azhuritet nga EULEX-i që të heton ato pretendime që i ngritë Dik Marti dhe të zbardhet ajo gjendje sa më shpejtë aq më mirë, dhe do të lirohet një padrejtësi që i është bërë UÇK-së dhe njerëzit që janë të etiketuar në atë raport. Kështu Kosova mund të ecën në rrugën e saj të zhvillimit dhe të integrimeve”, është shprehur Krasniqi.
Edhe pse i vetëdijshëm se institucionet e Kosovës nuk kanë ndonjë ndikim të madh për të ndryshuar gjendjen, Krasniqi thotë se Kosova do të angazhohen fuqishëm që të shihet se lufta e popullit të Kosovës dhe UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër dhe vendi mandej të ecën në rrugën e integrimeve.
“Dik Marti dhe kushdo tjetër që pretendon se ka dëshmi, ato dëshmi le t’ia dorëzon EULEX-it dhe mandej EULEX-i të merret me hartuesin me hetimin e tyre dhe me zbardhjen e tyre. Neve na intereson të dihet e vërteta cilado qoftë ajo edhe nëse e është e dhimbshme le të dihet. Ne jemi të interesuar si përfaqësues politikë, si përfaqësues të asaj kohe të UÇK-së, si përfaqësues të qytetarëve të Kosovës, jemi të interesuar të dihet e vërteta për atë që pretendohet”, ka thënë Krasniqi.
Raporti i zviceranit Dik Martit, akuzon kryeministrin në dorëheqje të Kosovës Hashim Thaçi dhe disa prej drejtuesve të ish UÇK-së për përfshirje në krimin e organizuar, përfshirë trafikun e organeve të qenieve njerëzore. I vetmi ndryshim që është bërë në draft-rezolutën e miratuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është ndryshimi i titullit të tij në “Hetimi rreth dyshimeve për trajtim çnjerëzor dhe trafikim të organeve në Kosovë”. /kosovapress/