Krasniqi: Kosova mburret me trashëgiminë kulturore
Në fjalën e tij, Ministri Krasniqi falënderoi Këshillin e Evropës, Ambasadën amerikane në Prishtinë dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë për ndihmën që ka dhënë për Kosovën në fushën e trashëgimisë kulturore, si në restaurime, mbrojtje, promovim e po ashtu edhe në hartimin e një legjislacioni modern. Ai shtoi po ashtu se Kosova mburret me trashëgiminë kulturore dhe tha se po punohet shumë që ajo të ruhet dhe që të përcjellët tek të rinjtë. “Kur e them të pasur, nuk e mendoj vetëm në aspektin e shumë elementeve që e përbejnë këtë trashëgimi, por kam në mendje diversitetin që ka kjo trashëgimi brenda vetës, e që e kam thënë disa herë, është një vlerë me të cilën krenohemi dhe duhet ta ruajmë më shumë dashuri. Për ketë arsye trashëgimia kulturore është në listën e prioriteteve kryesore të miat për këtë mandat. Besoj se pajtohemi të gjithë se kemi shumë sfida në gjithë këto angazhime tona rreth ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore dhe kjo është një sfidë do të thosha për shumë vende anekënd botës. Është e rëndësishme që trashëgiminë kulturore të gjithë ne ta shohim si një pikë e afrimit tonë dhe jo si diçka që na ndanë, siç ndoshta ka ndodhur në të kaluarën”, ka thënë ministri Krasniqi.
Ndërkaq, Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, z.Tim Cartwright tha se Këshilli i Evropës do të vazhdojë ta ketë Kosovën si prioritet. Ai vlerësoi se kjo konferencë do të ndihmojë që të krijohen më shumë lidhje mes njerëzve, të promovohet dialogu dhe të merren praktikat me të mira se si trashëgimia shpirtërore duhet të përcjellët tek gjeneratat.
Promovimi i elementeve të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale dhe mbrojtja e tyre; Analiza e qasjes dhe roli i dialogut ndër kulturor në procesin e vlerësimit, mbrojtjes dhe menaxhimit të trashëgimisë kulturore jomateriale si dhe Hartimi i rekomandimeve mbi mënyrat efektive të përcjelljes së praktikave të trashëgimisë jomateriale tek gjenerata e ardhshme, janë objektivat që synon të arrijë kjo konferencë.