E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: Limaj, ndër ministrat më të suksesshëm

Ndërkohë që opozita ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit Fatmir Limaj, pas bastisjes që i është bërë kësaj ministrie dhe pronave të Limajt nga EULEX-i nën dyshimin për korrupsion, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se kërkesat e tilla të opozitës nuk janë për t’u marrë seriozisht, ndërkaq Limaj do të vazhdojë të drejtojë MTPT-në.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, në një konferencë të premten pas mbledhjes së Qeverisë, nuk ka dashur t’i shtojë asgjë më shumë deklaratës së ministrit Limaj dhënë ditën kur u bastis ministria që ai drejton.

Krasniqi ka thënë se qëndrimi i Limajt, përfaqëson qëndrimin e kryeministrit dhe gjithë kabinetit qeveritar.

“Për këtë çështje edhe në emër të Qeverisë edhe në emër të ministrisë është deklaruar ministri Limaj dhe ju e keni marrë këtë deklaratë dhe besoj se aty është shumë i qartë edhe qëndrimi i qeverisë. Ministri Limaj është ministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndër ministrat më të suksesshëm dhe ai ka fol edhe në emër të Qeverisë”, ka thënë Krasniqi.

Në këtë mënyrë Krasniqi ka mohuar deklarimet që Fatmir Limaj po iu ikë mediave lidhur me rastin e bastisjes nga EULEX-i. Deklaratat e opozitës për dorëheqjen e ministrit Limaj, Krasniqi nuk ka dashur t’i komentojë, duke thënë se opozita ka të drejtë të ketë qëndrime të tilla.

“Opozita dhe përfaqësuesit e ndryshëm të opozitës këto dy vitet e fundit, vend e pa vend kanë pas kërkesa të tilla. Nuk mund t’i marrë gjithsesi seriozisht këto kërkesa. Për atë çështje ju keni marrë përgjigjen e ministrit, i cili është duke vazhduar punën e tij”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi edhe njëherë ka sqaruar se Qeveria është njoftuar për bastisjen e Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit ditën kur ka ndodhur ky aksion i Policisë së EULEX-it, e jo më herët. /kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›