Krasniqi: Nuk jemi maniak që pajtohemi me një foto

Pas publikimit të një foto në facebook nga deputeti I Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Burim Ramadani, ku shihet ky i fundit duke ngrënë iftar të përbashket me Këshillin e Bashkësisë Islame në Therandë, ka reaguar ashpër Shefqet Krasniqi.
Sipas tij Ramadani dhe subjekti i tij partiak synojnë të rregullojnë imazhin e tyre tashmë të rrënuar në sytë e muslimanëve, duke postuar foto në facebook.
“Sikur që është e ditur, jo shumë kohë më parë disa njerëz të politikës patën shfryrë mllefin e tyre, prej axhamish, në adresën tonë jo vetëm ndaj nesh si imam por edhe ndaj Bashkësisë Islame si Institucion i rëndësishëm në vend. Megjithatë, kohëve të fundit shohim se po të njëjtit axhami shkojnë dhe hanë nga sofra e bereqetshme e BIK-ut. Kështu, së fundi, bëri edhe Burim Ramadani i cili tenton që më këtë akt kinse të përmirësoj axhamillëqet e tij me një të ngrënë iftari e me një foto të postuar në facebook.
Natyrisht ai dhe subjekti i tij partiak synojnë të rregullojnë imazhin e tyre tashmë të rrënuar në sytë e muslimanëve, por a thua vallë a do të ju kryej punë një shtirje e këtillë, për këtë më së miri do të na dëshmojnë zgjedhjet që nuk janë edhe aq larg.
Sfida më e madhe në këtë rast është se ata që u ofenduan rëndë duke përshkruar hoxhen e tyre si ‘maniak’ janë shumë dhe se kanë një rol më rëndësi në hedhjen e votave”, thuhet në reagimin e Krasniqit./indeksonline/