Zbulohet rrjeti që trafikonte drogë, kapet dhe një shqiptar

Policia greke ka zbuluar një rrjet trafikimi droge, në të cilin janë përfshirë 42 persona.
Veprimtaria e këtij rrjeti zhvillohej kryesisht në ishullin e Kretës, pas importimit të drogës në territorin grek.
Policia arrestoi 13 vetë, nga të cilët 12 grekë të moshës 20-25 vjec dhe një shqiptar 30 vjec, të cilët akuzohen për krijimin e organizatës kriminale, posedim dhe trafikim droge si dhe shkeljen e ligjit për armët.
Policia sqaron se rrjeti importonte sasi droge kryesisht të papërpunuara nga Shqipëria dhe e shpërndante atë në zona të ndryshme të Kretës, shkruan BW.
Eshtë vlerësuar se nga aktivitetitet e jashtëligjshme janë përfituar qindra-mijëra euro.
Nga kontrolli në banesat e të arrestuarve policia gjeti rreth 8 kg kanabis, sasi të vogla kokaine, 2 lloj armësh, fishekë, 5 peshore elektronike, 35 telefona celularë dhe rreth 9000 dollarë. Armët janë dërguar për testime balistike ndërsa të arrestuarit u dërguan në prokurorinë e Iraklios./indeksonline/