Krasniqi: Politika e regjimit të Beogradit nuk ka ndryshuar

Ai ka kërkuar informacione më të detajuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa ka thënë se është në dorën e shefave të grupeve parlamentare a dëshirojnë të mbajnë një seancë për këtë çështje apo jo.
Të hënën, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Krasniqi në një konferencë për media, ka thënë se ajo që është parë në media është një sulm i shtetit serb në hapësirën e Kosovës, për të cilën gjithë institucionet e Kosovës, në mënyrë të veçantë Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, duhet ta studiojnë dhe të informojnë në detale për atë zhvillim.
Duke folur për këtë akt të Serbisë, Krasniqi ka thënë se kjo po tregon se politika e Serbisë esencialisht nuk ka ndryshuar.
“Duhet të themi se ishte një akt që tregon edhe njëherë se në politikat e regjimit të Beogradit nuk kanë ndryshuar asgjë esencialisht dhe kjo sigurisht nuk është problem vetëm i institucioneve të Kosovës, ky është një problem që i kalon përmasat e institucioneve të Kosovës dhe me këtë duhet të merret edhe komuniteti ndërkombëtar”, ka thënë Krasniqi.
Nesër pritet të mbaj edhe një mbledhje tjetër kryesia e Kuvendit të Kosovës dhe për këtë do të vendosin shefat e grupeve parlamentare, se a dëshirojnë të mbajnë një seancë për të diskutuar për këtë çështje.
“Raportimin duhet ta bëjë Ministria e Punëve të Brendshme, dhe ne nuk kemi një kërkesë për seancë. Nesër do të bisedojmë edhe me shefat e grupeve parlamentare dhe nëse ka një kërkesë të tillë, sigurisht që Kuvendi duhet ta kryejë përgjegjësinë e vet”, ka theksuar ai.
Madje Krasniqi ka thënë se nuk e pengon mbajtjen e seancës dhe ka konsideruar se çështja nuk është aq e lehtë sa për të kaluar kështu lehtë.
Madje kryekuvendari nuk ka dashur të fletë shumë për këtë temë, pasi pohoi se nuk ka informacione të mjaftueshme, por ka thënë se ekzekutivi duhet të ofrojë një informacion të plotë në Kuvend dhe të merrë detyrat e veta konform situatës së krijuar.
I pyetur se a duhet që shteti i Kosovës të shqyrtojë pozicion e saj për të vazhduar bisedimet pas këtij akti, Krasniqi ka thënë se nuk duhet të shqyrtohet vetëm në këtë rast.
“Unë mendoj që vetëm për këtë rast nuk duhet të shqyrtohet ajo, por sigurisht që nuk është ky rast i vetëm”, ka deklaruar Krasniqi dhe kashtuar se marrëveshjet janë mirë të arrihen, por ato duhet edhe të realizohen.
Ndërsa për vigjilencën e institucioneve të vendit pas këtij akti, ai ka thënë se për këtë duhet të pyetet Qeveria e Kosovës.
Ndryshe dy ditë më parë xhandarmëria serbe ka arrestuar dy policë të Kosovës në kufirin me Serbinë. Ata vazhdojnë të mbahen ende në paraburgim në burgun e Kurshumlisë.