E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali, mbret i golave

Në fitoren me rezultat të thellë 5-1 në udhëtim te Osasuna, Real Madridi arriti në kuotën e 100 golave pas 30 xhirosh në La Liga. Shifër rekorde nga skuadra e Jose Mourinhos. Megjithatë, atyre u nevojiten edhe shtatë gola për të arritur rekordin e klubit, të regjistruar gjatë sezonit 1989-90 nga skuadra e John Toshackut.

Real Madridi vazhdon të arrijë rezultate të shkëlqyeshme. Gjiganti madrilen ka shënuar 100 gola pas 30 xhirosh në La Liga dhe është në rrugë të mirë të thyejë rekordin e klubit prej 107 gjatë sezonit 1989-90.

Në fitoren e thellë 5-1 në udhëtim te Osasuna të shtunën mbrëma, ekipi i Jose Mourinhos mbërriti në kuotën e 100 golave. Nga dy të realizuar nga Cristiano Ronaldo dhe Gonzalo Higuain, si dhe një tjetër nga Karim Benzema përmblodhën kuotën jubilare për gjigantin madrilen.

Asnjë ekip tjetër në histori të Kampionatit spanjoll, nuk ka arritur të realizojë 100 herë pas vetëm 30 ndeshjesh. Barcelona e Pep Guardiolës më herët mbante rekordin e arritjes së treshifrorit të golave pas 34 takimeve.

Megjithatë, skuadrës aktuale të Mourinhos i nevojiten edhe shtatë gola për të thyer rekordin e ekipit të John Toshackut që kishte realizuar 107 herë gjatë sezonit 1989-90 kur fituan titullin e kampionit në ligë nën drejtimin e trajnerit uellsian. Reali, me fitore ndaj Osasunës ruajti epërsinë prej gjashtë pikëve ndaj përcjellësit të parë, Barcelonës, që fitoi në shtëpi 2-0 ndaj Athletic Bilbaos.

Higuain, jubilar i dyfishtë

Sulmuesi argjentinas, Gonzalo Higuain u bë futbollisti më i ri i Real Madridit që realizoi golin e tij jubilar, të 100-të me skuadrën nga Santiago Bernabeu. Po ashtu në proces, ai shënoi edhe golin e 100-të të Realit deri më tani gjatë këtij sezoni në La Liga.

Higuain iu bashkua Realit më 2007 nga River Plate dhe deri më tani është paraqitur në 210 ndeshje për Los Blancos, në të gjitha garat. Ai është në rrugë të mirë drejt bilancit të tij më të mirë të golave prej kur erdhi në Spanjë.

Higuain ka realizuar 20 gola gjatë këtij edicioni në La Liga kurse me dy golat ndaj Osasunës, ai ngriti kuotën e përgjithshme të shënimeve të tij për Realin në 101. Bilanci i tij më i mirë prej kur erdhi në Real, është 24 gola. Ai bëhet futbollisti i 18-të i Realit që ka arritur të realizojë 100 gola për gjigantin nga Santiago Bernabeu.

Të tjerët janë: Raul, Alfredo Di Stefano, Fernando Hierro, Cristiano Ronaldo, Santillana, Hugo Sanchez, Ferenc Puskas, Emilio Butragueno, Pirri, Amancio Amaro, Francisco Gento, Pahino, Juanito, Michel, Luis Molowny, Ivan Zamorano dhe Ronaldo.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›