Krasniqi: S’mund ta votojmë raportin nëse qeveria nuk jep dorëheqje

PRISHTINË, 15 prill /ATSH/Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se nuk mund ta votojnë raportin e komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, pasi sipas tij, është kundër kushtetues.
Pas ndërprerjes së seancës konstituive, Krasniqi në një adresim për media, tha se pa dhënë dorëheqje Qeveria e Kosovës, PDK-ja nuk do të votojë pro këtij raporti.
“Nuk mund të votojmë një raport të tillë, sepse është kundërkushtetues. Aktualisht në të njëjtën kohë që nga kryeministri Kurti e gjithë ministrat që janë zgjedhur deputet po tentojnë të mbajnë edhe pozitë ekzekutive dhe legjislative që ua ndalon kushtetuta e Republikës së Kosovës. Pra, Kushtetuta e thotë qartë që nuk mund të bëhesh deputet nëse je kryeministër, nëse je ministër, këta janë sepse nuk kanë dhënë dorëheqje. Në mungesë të një dorëheqje tillë, PDK nuk mund të votojë një raport, i cili është në kundërshtim me Kushtetutën. Nëse do të ndodhë ajo që është kërkuar qysh herët, pra dorëheqja nga pozicionet ekzekutive, atëherë mund të ndryshojë situata”, tha Krasniqi.
Krasniqi u pyet rreth letrës së Kurtit për dorëheqje, për çka potencoi se “shteti është më i rëndësishëm se postimet e Facebooku-ut”.
“Njoftimi është në Facebook, shteti është më i rëndësishëm se postimet e Facebook-ut”, ka shtuar Krasniqi.
Ndër të tjera, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se situata do të ishte ndryshe nëse kryemisnitri në detyrë, Albin Kurti dhe ministrat e tij do ta respektonin Kushtetutën e Kosovës.
Krasniqi refuzoi të komentojë mesazhet e deputetëve që kanë qarkulluar sot në media lidhur me sigurimin e votave.
“Nuk mund t’i komentojë mesazhet personale të kujtdo. Nuk e di a janë të vërteta”, potencoi Krasniqi.
Ndërkaq, pas dështimit të miratimit të raportit nga komisioni i përkohshëm, është ndërprerë seanca konstituive.
/KosovaPress/