E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: 100 ditët e para bëjmë amnisti fiskale për të gjitha bizneset e vogla

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha siguroi sot se rast fitoreje të zgjedhjeve të 11 majit, në 100 ditët e para të qeverisjes do të bëhet amnistia fiskale për të gjitha bizneset e vogla.

Në një takim me tregtarët e tregut industrial në Tiranë, Berisha shprehu mbështetjen për biznesin e vogël, i cili sipas tij, “punëson më shumë dhe është biznesi që pasqyrohet më shpejt dhe më mirë në mirëqenien e njerëzve”.

Duke u ndalur te programi i PD-së në mbështetej të kësaj kategorie, Berisha bëri të ditur se “për biznesin e vogël do ta ulim çmimin e energjisë nga 18 në 6 lekë”.

“Tavanin 140 mijë euro pa taksa do ta ngremë në 180 mijë euro. Edhe kjo është një lehtësim, një frymëmarrje. Taksat e bashkisë, të cilat shkojnë në absurditet, sepse siç e dini, kanë qenë shumë më të ulëta. Isha në një treg tjetër dhe u merrte për pllakat jashtë 1500 lekë për metër katror, do të zbresë në 120 lekë, kur është tokë publike. Ujin do ta përgjysmojmë tarifën dhe bashkia nuk do mund, me ligj, të vendosë më shumë se 1 për qind të xhiros taksa. Sot shkon deri në 8 për qind të xhiros dhe sillen në mënyrë absurde.
Plus që do të ketë lehtësira në dogana, çka do ta bëjë furnizimin tuaj më të lirë”, siguroi ai.

Po ashtu, Berisha garantoi se do të ketë edhe amnisti për të gjitha gjobat, jo vetëm për biznesin e vogël, por edhe për qytetarët, për pensionistët.

“Do të bëjmë gjithçka për frymëmarrje më të madhe sepse për ne biznesi i vogël është themelor për punësimin e njerëzve. Ne besojmë se duke i shpëtuar nga ngarkesa absurde fiskale, u mbeten para më shumë, e zgjerojnë më mirë biznesin dhe punësojnë dhe të tjerë dhe familjet marrin një mirëqenie më të mirë”, shtoi ai.

Ndërkohë, Berisha theksoi se nuk do të ketë pension dhe ndihmë ekonomike nën 200 euro.

/m.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›