E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi: Të qartësohet çka është krim lufte dhe krim ndaj njerëzimit

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi të hënën ka deklaruar se është shumë e padrejtë që ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të ndiqen për krime të luftës. Sipas tij, vetë krimet e luftës e kanë një standard se si gjykohen ato.
“Unë konsideroj që kjo që po ndodh në Kosovë nuk është krejt në standardet që ekzistojnë për vlerësimin e asaj se çka është krim lufte dhe se çka është krim ndaj njerëzimit, megjithatë drejtësia duhet ta thotë fjalën e vetë qoftë për pafajësi qoftë për fajësi”, tha ai.

Krasniqi e ka komentuar pikën e marrëveshjes Prishtinë- Beograd, që ka të bëjë me amnistinë, duke thënë se kjo marrëveshje do ta trajtohet në seancë parlamentare.

Ndërsa për propozimin e kryeministrit për ndryshime kushtetuese, ai vlerësoi si të drejtë të kryeministrit të dërgoj amendamente në Kuvend.

Sipas tij, këtë të drejtë e ka edhe presidentja, por e kanë edhe një e katërta e deputetëve.

“Kjo është mënyra se si amendamentohet Kushtetuta e përcaktuar me nenin 144 të saj. Amendamentet vijnë në Kuvend dhe kryetari i Kuvendit i dërgon në Gjykatë Kushtetuese, pastaj ajo e kthen pozitivisht ose negativisht çështjen e atyre amendamenteve”, ka deklaruar Krasniqi./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›