E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi në Berlinale

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi takoi në Berlin organizatorët e Festivalit të Filmit Berlinale, me të cilët bisedoi rreth mundësisë që vitin e ardhshëm në konkurrencë zyrtare të këtij festivali të ketë edhe filma nga Kosova.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, i shoqëruar nga drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Fatos Berisha dhe kryetari i Bordit, Arben Zharku, ka takuar të dielën, në Berlin, disa nga organizatorët e Festivalit të Filmit Berlinale. Ministri Krasniqi konkretisht është takuar me Karin Hoffinger, udhëheqëse e marrëdhënieve ndërkombëtare si dhe me Nikolaj Nikitin, selektor i filmave të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Në këtë takim është diskutuar për zhvillimin e kinematografisë kosovare, për rolin dhe punën që bën Qendra Kinematografike e Kosovës. Ministri tha se kinematografia kosovare është një prioritet i tij dhe se ka një angazhim të gjithëmbarshëm që krijuesit të kenë hapësirë dhe kushte më të mira për të realizuar filmat e tyre. Ai i njoftoi organizatorët e Berlinale me disa nga punët që janë bërë deri më tash në zhvillimin e filmit.

Po ashtu në këtë takim është folur edhe për suksesin e filmit kosovar në festivale të rëndësishme ndërkombëtare, suksese këto që ministri i vlerësoi si një frymëzim për të punuar edhe më shumë. Ministri Krasniqi u shpreh i kënaqur që Republika e Kosovës, për herë të parë, është prezente edhe zyrtarisht në Berlinale. Ministri dhe organizatorët e Berlinale shprehen dëshirën që në vitin e ardhshëm në konkurrencën zyrtare në këtë festival të ketë edhe filma nga Kosova. Njëkohësisht, u konfirmua se këtë vit faza para-seleksionuese për filmat nga Ballkani Perëndimor për Berlinalen e vitit të ardhshëm do të bëhet në Kosovë. Me këtë rast, ministri Krasniqi shtoi se MKRS dhe QKK do të përmbushin të gjitha kërkesat e nevojshme për realizimin e suksesshëm të këtij evenimenti.

Përveç takimit me organizatorët e Berlinale, ministri Krasniqi ka vizituar edhe stendën e Kosovës në Tregun Filmik të Berlinales, ku Qendra Kinematografike e Kosovës po prezanton filmat e subvencionuar prej saj, e në të njëjtën kohë gjithë krijimtarinë kosovare në kinematografi, si dhe planet për të ardhmen.

Ministri Krasniqi pritet që të ketë takime edhe me personalitete të tjera të kinematografisë evropiane.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›