Gjithmonë i Arsenalit

Thierry Henry refuzoi të përjashtojë mundësinë e një aventure të tretë me Arsenalin, pasi realizoi golin e fitores 2-1 ndaj Sunderlandit të shtunën. Ky ishte takimi i fundit i sulmuesit francez në Premierligë para skadimit të periudhës së huazimit dhe rikthimit të tij në New York Red Bulls. Henry, do të kthehet te skuadra nga Major League Soccer, pas përballjes së parë në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve, kundër Milanit të mërkurën.
Por, ai ka paralajmëruar se nëse është nevoja, do të kthehet sërish për t’i ndihmuar Arsenalit.
“Nëse Arsenali një ditë do të ketë sërish nevojë për ndihmën time, do të jem afër”, tha Henry për BBC Sport.
Henry, u inkuadrua si rezervist në vend të Alex Oxlade-Chamberlain, dhe realizoi golin e fitores për Arsenalin kundër Sunderlandit, duke konkretizuar asistimin nga Andrey Arshavin, në minutën e 92-të. 34-vjeçari, shënoi golin e tij të 176-të në 258 ndeshje të Premierligës për Arsenalin.
“Kur inkuadroheni si zëvendësues ju kërkoni t’i ndihmoni ekipit tuaj dhe të ndryshoni ndeshjen. Ai që shënon i merr të gjitha meritat, por harkimi nga Arshavin ishte perfekt”, shtoi golashënuesi më i mirë në histori të Arsenalit, i cili u rikthye në klub më 6 janar, pas stërvitjes me ekipin gjatë pushimit në Major League Soccer.
Prej rikthimit, ai ka shënuar tri gola në gjashtë paraqitje, duke përfshirë atë të fitores në ‘debutimin’ e tij kundër Leeds United në FA Cup.
“Kurrë nuk duhet thënë kurrë”, tha Henry, pasi u pyet nëse kjo ishte ndeshja e tij e fundit në Premierligë për Arsenalin.
“Jam ndjerë si një fëmijë i cili shënon golin e tij të parë për ekipin që dashuron”.
Edhe menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger refuzoi të përjashtojë mundësinë e një tjetër rikthimi të Henrys.
“Do të shohim vitin e ardhshëm. Ndoshta ai do të dëshirojë të ndalet në një fazë? Është mëkat që një futbollist i kualitetit të tij nuk është në Angli ose në Evropë”, tha Wenger.
Henry do të largohet nga Arsenali më 16 shkurt pas ndeshjes kundër Milanit në San Siro dhe do t’i bashkohet përgatitjeve për fillimin e sezonit në MLS, që nis më 10 mars. New York Red Bulls është nikoqir i skuadrës meksikane, Pumas.
“Shpresoj që Thierry të shënojë edhe disa gola në Ligën e Kampionëve të mërkurën. Sigurisht, ai na siguroi tri pikë në një ndeshje shumë të vështirë”, theksoi Wenger.
Edhe menaxheri i Sunderlandit, Martin O’Neill iu bashkua lëvdatave për Henryn.
“Ai ka qenë futbollist i shkëlqyeshëm në kohën e tij këtu, kurse nuk ka luajtur keq as në rikthimin e tij”, deklaroi O’Neill.