E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi në SHBA, konfirmohet mbështetja amerikane për Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi është pritur dje pasdite në Departmentin Amerikan të Shtetit ku ka folur për situatën aktuale në Kosovë dhe është falënderuar për mbështetjen e gjithanshme amerikane e në veçanti zhvillimin e institucionit ligjdhënës. Në një deklaratë për RTK-në Z. Krasniqi e quajti vizitën një takim të përzemërt me zëvendës ndihmëssekretarin e Shtetit, Philip Reeker.

“Mund të them që edhe njëherë u konfirmua politika parimore në mbështetje të proceseve politike që janë duke u zhvilluar në Kosovë dhe për Kosovën” , ka thënë Krasniqi.

Kryeparlamentari shtoi se e kishte njoftuar zyrtarin amerikan me zhvillimet kryesore dhe me procesin e miratimit të 22 ligjeve që kanë të bëjnë me heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë. Z. Krasniqi shtoi se pala amerikane ka mbështetur plotësisht miratimin e ligjeve për të konstatuar pjekurinë e Kosovës për ecje të mëvetësishme përpara.

Në takim është biseduar edhe për raportet e Kosovës me Serbinë dhe për pengesat politike që i ka Kosova me liberalizimin e vizave dhe studimin e fizibilitetit.

Z. Krasniqi takoi edhe ndimësadministratoren e USAID e ngarkuar për Evropën dhe Azinë, z. Peige Alexander.

“Edhe USAID është i gatshëm për të ndihmuar dhe investuar në Kosovë në të gjitha ato segmente që ka investuar deri më tani.”

Kryeparlamentari tha më tej se ishte biseduar për mundësinë e mbështetjes përmes Institutit Demokratik Kombëtar i cili ka në realizim disa projekte të rëndësishme për funksionimin dhe zhvillimin e Kuvendit.

“Kemi një mbështetje të fuqishme dhe ne kërkuam ndihmë edhe në sferën e legjislacionit, si Kuvend i ri kemi nevojë për ekspertë dhe hulumtime në sferën e ligjeve që Parlamenti të jetë i gatshëm për të kryer funksionin e tij më mirë në raport me qytetarët e vendit dhe në raport me infrastrukturën ligjore.”

Një burim tjetër, pjesëmarrës në takim, tha se `përfaqësuesit e USAID i konfirmuan z. Krasniqi se vetë presidenti dhe sekretarja amerikane e Shtetit janë të interesuar për vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kosovën.`

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›