E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi nuk e përkrah LDK'në për flamurin

Propozimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), që flamuri i saj të jetë flamuri i Kosovës dhe himni i kësaj partie të jetë gjithashtu himn shtetëror, nuk janë përkrahur nga kryekuvendari i Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili ia ka kujtuar kësaj partie se edhe ajo ka miratuar këtë flamur me të cilin sot përfaqësohet Kosova, ndërkohë ka shtuar se vendi ka probleme të mëdha që duhet të merren institucionet si qendrore ashtu edhe lokale.

Pas mbledhjes së kryesisë së kuvendit, kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi nuk ka dashur të komentoj shumë këtë çështje, por ai ia ka kujtuar LDK-së se edhe ajo ka qenë pjesë e bisedimeve për flamurin që e ka sot Kosova.

“Me të thënë të drejtën nuk jam marr me këtë çështje se kur është bërë ky flamur i Republikës së Kosovës ka qenë prezent dhe e kanë miratuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës edhe partitë tjera që ishin pjesë e atyre bisedimeve”, ka thënë Krasniqi.

Madje ai nuk ka fshehur si asnjëherë më parë edhe dashurinë për flamurin kombëtar që e ka, por ka thënë se Kosova ka shumë probleme në këtë kohë dhe është nevojë e institucioneve të vendit që të merren më shumë me këto probleme.

“Unë realisht e di që kam shumë respekt dhe emocione për flamurin kombëtar që dihet cili është flamuri kombëtar i shqiptarëve. E di që Republika e Kosova është shtet dhe duhet të ketë një prezantim të saj, e dimë që edhe e ka bërë një zgjidhje. Mendoj që qytetarët e Kosovës kanë nevojë për angazhime tjera politike, Kosova ka nevojë për një qasje tjetër ndaj zhvillimit ekonomik, ndaj privatizimit që ka mbetur pa u përfunduar, ndaj reformimit më të mirëfilltë në sistemin e arsimit, sistemin shëndetësisë por edhe në çështje sociale”, ka theksuar ai.

Për më tepër, ai ka shtuar se Kosova ka aq shumë probleme me të cilat duhet të merren partitë politike dhe sidomos duhet të merren me hallin e qytetarëve partitë politike që janë në pushtet sidomos në nivelin lokal, në mënyrë që tët krijojnë rend më të mirë se sa që kanë krijuar deri më tani.

Lidhja Demokratike e Kosovës në Kuvendin e Punës të mbajtur të shtunën ka dal me propozimin që flamuri i tyre të jetë flamur i Kosovës dhe gjithashtu himni i tyre të jetë himni i Kosovës. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›